Fitorja 0-1 e Shqipërisë në fushën e Hungarisë ka bërë bujë edhe ne mediet e huaja dhe veçanërisht tek ato polake, pasi më 12 tetor në Tiranë luhet Shqipëri-Poloni. Ishte një fitore ajo e kuqezinjve, që duket se i ka prishur disi planet e polakëve, të cilët vijnë në ndeshjen e radhës 1 pikë pas Kombëtares sonë.
Shtypi sportiv në Poloni ka folur për një fitore të papritur të Shqipërisë, duke e argumentuar këtë me faktin se Hungaria është një skuadër e fortë. Pikërisht për këtë arsye, edhe disa nga ish-lojtarët e njohur të Polonisë janë shprehur se skuadra e tyre duhet të ketë shumë kujdes në Tiranë, pasi Shqipëria qenka më e fortë nga sa ata e kishin menduar.

Grzgorz Lato, një nga ish-futbollistët më të famshëm polakë, shënuesi më i mirë i Botërorit të 74-ës, ka theksuar: “Nuk e prisja kurrë që Shqipëria të ishte kaq e fortë. Kur u hodh shorti, përveç Anglisë, rival direkt për ne të gjithë menduan Hungarinë, por në fakt doli Shqipëria. Ajo e ka mundur dy herë Hungarinë, ka lojtarë të mirë që luajnë në klube të mëdha europiane. Na bën punë edhe barazimi, por do të jetë shumë e vështirë. Lojtarët tanë duhet të tregohen të zgjuar”.
Jaçek Bak, një tjetër ish-lojtar polak, që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ka shprehur keqardhjen që ndeshja mes Hungarisë dhe Shqipërisë nuk përfundoi në barazim. “Rezultati i Budapestit nuk ishte i mirë për ne, sa keq që ajo ndeshje nuk përfundoi në barazim. Gjithsesi, duhet të marrim përgjegjësitë dhe të luajmë më fort se ata. Nëse Levandovski luan si në ndeshjen e parë, nuk duhet të kemi frikë. Lojtarët tanë duhet të jenë si “vrasës” në fushë”, – ka thënë Bak.
Përveç fitoreve tona me Hungarinë, polakët i referohen edhe ndeshjes në Varshavë, ku Shqipëria luajti mirë, thuajse e barabartë, ndërsa humbja 4-1 e saj është një rezultat i gënjeshtërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




