Shendet

Shqipëria në prag epidemik? Mbi 12 mijë të sëmurë nga viruset në një javë. Gjirokastra, Durrësi, Vlora më të prekurat

Nga Gazeta Si – Teksa kemi hyrë në kulmin e sezonit të gripit, Instituti i Shëndetit Publik raporton se jemi drejt pragut epidemik. Vetëm në javën e fundit të muajit dhjetor, 23-29 dhjetor, janë regjistruar  mbi 12.500 të sëmurë që kanë marrë trajtim të specializuar në qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit.

Sipas raportit zyrtar të ISHP, siguruar nga Gazetasi.al, gjatë javës 23-29 dhjetor 2024, janë rreth 7985 pacientë të shtruar në spital me insuficencë respiratore në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe 3441 të tjerë të infektuar në rrugët e poshtme të frymëmarrjes.

Nga të dhënat e dy javëve të fundit të muajit dhjetor, konstatohet se numri i rasteve me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme, vijon të ketë prirje të qëndrueshme.

Ndërkohë, vërehet se rastet më të shumta janë identifikuar në Gjirokastër, Durrës, Vlorë, Fier, Tepelenë.

Moshat më të prekura vijojnë të jenë fëmijët mbi 1 vjeç dhe kategoria e të moshuarve mbi 65-vjeç.

Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, konstatohet rritje e ndjeshme e rasteve me infeksione respiratore, 12.517 nga 11.406 që u regjistruan në 23-29 dhjetor 2023.

Duket se qarkullimi intensiv i disa llojeve të viruseve respiratore ka rritur numrin e pacientëve të shtruar në spitale.

Diarretë pa gjak, në 1 javë 1300 të shtruar në spital

Një tjetër situatë epidemiologjike që vijon të mbetet e pandryshuar, janë rastet me diarre.

Megjithëse në raportin e Institutit të Shëndetit Publik nuk shpjegohen shkaqet e prekjes nga diarretë, nga grafiku shihet se në javën e 52-të, 23-29 2024 dhjetor janë 1300 raste, shifër e lartë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur janë regjistruar 954 raste.

Pas kulmit të rasteve të shënuara gjatë sezonit të verës, kur u regjistruan rreth 2458 raste, në javën 52 të vitit 2024 vërehet prirje në rritje e numrit të rasteve “Diarre pa gjak”.

Variçela, 54 raste të shtruara në spital në 1 javë

Nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, mjekun infeksionist dhe atë epidemiolog, në javën e fundit të muajit dhjetor janë regjistruar 54 raste me variçelë ku shumica e rasteve i përkasin kryeqytetit, me 29 raste. Më tej renditen Fieri me 14 raste, Lushnja 6 raste, Vlora 4 raste dhe Pogradeci 1 rast.

Në raportin e ISHP thuhet se këto raste kanë shfaqur problem të temperaturës së lartë dhe janë hospitalizuar në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë