Politike

Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes, Trump: Do angazhojnë trupa ushtarake në Gaza

Gazeta Si – Shqipëria dhe Kosova do të jenë mes 5 vendeve që do të angazhojnë trupa ushtarake në funksion të planit të paqes në Gaza.

Lajmin e konfirmoi presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit të parë të nivelit të lartë të mbajtur në Uashington në Bordin e Paqes.

Para fjalimit të tij, Trump shtrëngoi duart me liderët e vendeve anëtare të Bordit të Paqes, mes tyre edhe me kryeministrin Edi Rama dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të mbërritur në Uashington për ceremoninë zyrtare.

Gjatë fjalës së tij, Trump falënderoi për pjesëmarrjen 26 liderët botërorë, mes tyre Ramën dhe Osmanin.

“Jemi të nderuar që na është bashkuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, – u shpreh Donald Trump. Ndërsa për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shtoi: “Kemi presidenten Osmani, faleminderit, po bëni një punë të madhe”.

Trump sqaroi se shtetet e pranishme në bord, nuk do të mbledhin thjesht para, por disa do të dërgojnë persona për të mbikëqyrur dhe siguruar një paqe të sigurt në Gaza.

“Indonezia shumë faleminderit. Maroku faleminderit shumë. Shqipëria, Kosova, Kazakistani të gjithë kanë premtuar trupa dhe polici në Gaza. Mendoj që do të kemi disa njerëz shumë të mirë në atë forcë policie. Të gjitha këto vende po punojnë për një vizion që ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme. Tani është koha për Iranin që të na bashkohet. Nuk duhet të bëjnë destabilitetin në rajon. Nëse nuk arrihet marrëveshja gjëra shumë të këqija do të ndodhin”, u shpreh Trump.

Gjenerali amerikan Jasper Jeffers

Në fjalën e tij, gjenerali i lartë amerikan, Jasper Jeffers III, foli për planin ushtarak që do të përdoret në terrenin e Gazës.

Ai tha se mes pesë vendeve të para që do të angazhonin trupa ushtarakë në terren ishin edhe Shqipëria me Kosovën.

“Jam i nderuar që të deklaroj sot se 5 vendet e para që do të angazhojnë trupa ushtarakë janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa Egjipti dhe Jordania do të kenë forcat policore”, u shpreh Jeffers.

Mes personaliteteve të pranishëm që do të mbajnë një fjalim janë Sekretari amerikan i Shtetit Rubio,  Steve Witkoff, Tony Blair dhe Jaerd Kushner.

Bordi i Paqes u krijua për rindërtimin dhe stabilizimin e Gazës pas armëpushimit të fundvitit 2025. I miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ai do të koordinojë ndihmën humanitare, rindërtimin dhe sigurinë afatgjatë.

Organi buron nga plani 20-pikësh i Trump dhe u lançua në Forumi Ekonomik Botëror në Davos. 26 vende janë anëtare themeluese, ndërsa 35 liderë kanë shfaqur interes për t’iu bashkuar.a


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë