Gazeta Si - Gjykata e Posaçme i ka dërguar kërkesën e ekstradimit dhe dosjen për faktet penale të Durim Bamit, autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përmes ministrisë së Drejtësisë, sipas burimeve mësohet se dokumentacioni i dërguar ka lidhje me periudhën e viteve 2020-2021 për të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, i cili u arrestuar para dy javësh.
Ndaj 45-vjeçarit, janë ngritur akuzuat “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për te kryer vrasje", “Grupi i strukturuar kriminal", "Kultivimi i bimëve narkotike", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal".
LEXO EDHE:
- Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Durim Bami. Kokat e krimit kishin ofruar 1 mln euro për vrasjen e tij. Pritet ekstradimi në Shqipëri
- Përgjimet / Të gjithë ‘kokat’ e krimit kundër vëllezërve Bami! Bisedat mes Shullazit (nga burgu), Martinajt dhe Ndokës: Si ta kapim e ta rrjepim!
Brenda një afati kohor, drejtësia në Emiratet e Bashkuara Arabe, do t’i kthejë një përgjigje zyrtare autoriteteve shqiptare sa i takon rastit të Bamit.
Pavarësisht se ende dy shtetet nuk kanë marrëveshje ekstradimi, nga ana e ministrive po rishikohen mënyra të tjera ligjore me qëllim sjelljen e Bamit në vendin tonë dhe përballjen me akuzat.
Një prej persona më të kërkuar, Durim Bami ra në prangat e policisë në Dubai më 12 qershor i shpallur në kërkim nga GJKKO për një seri veprash penale.
Pas megaoperacionit të SPAK, “Metamorfoza 2”, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, për personat e botës së krimit në Shqipëri, dolën detaje nga dosja se si vepronin grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët.
Anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e Durim Bamit, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Durim Bami kishte prishur balancat me krerët e grupeve, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Alekasandër Ndokës.
Sipas dosjes hetimore, ish-deputeti i PS, Arben Ndoka (vëllai i Aleksandrit), mobilizoi asetet e tij pasurore dhe kontaktet e tij me personazhe të botës së krimit apo ligjit për ta eliminuar Bamin.
Ndaj këtij të fundit, ka pasur atentate me eksploziv apo rasti kur po udhëtonte me “Range Rover”, ku ndiqej kudo që lëvizte nga 16 persona.
Pasi ka ndier rrezikun që i kanosej nga shumë prej ish-miqve të tij dhe anëtarë të grupeve kriminale, Durim Bami së bashku me vëllain e tij Valter Bami u larguan drejt Dubait, i vili është kthyer në një “parajsë” për shumë persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Po ashtu, Bami u akuzua në vitin 2015 për “kallëzim të rremë”, në të njëjtën dosje ku ishin të pandehur edhe ish-deputeti Tom Doshi dhe ish-deputeti, Mark Frroku. Shkak u bënë deklaratat publike të Doshit, se Bami ishte “rekrutuar” për eliminimin fizik të tij dhe të ish-deputetit tjetër Mhill Fufi.
Pas arrestimit, Bami mohoi të kishte marrë porosi për vrasjen dhe pretendoi se ishte kërcënuar nga deputeti për t’u regjistruar duke folur për “skenarin” e eliminimit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.