Mentor Kasa – Historiku i zgjerimit të Bashkimit Europian ka provuar se kur një vend joanëtar shpreh ambicien për t’u bërë pjesë e unionit, Brukseli i imponon me hir dhe pahir qëndrime dhe vendime që shkojnë paralelisht me frymën e parimeve dhe vlerave mbi të cilat mbështetet kjo bashkësi. Pra, megjithëse vendi kandidat nuk është pjesë e familjes europiane, sjellja e tij sikur të ishte pjesë e kësaj familjeje merr një peshë të konsiderueshme në procesin e integrimit.
Aktualisht, sharra e zgjerimit ka ngecur në gozhdën e quajtur “Ballkani Perëndimor”. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Herzegovina janë gjashtë vendet të cilat ndodhen në etapa të ndryshme anëtarësimi dhe këtu pak rol ka luajtur rreshtimi mbështetës, apo kundërshtues i këtyre vendeve ndaj qëndrimeve të politikës së jashtme, vendimeve apo deklaratave të Brukselit.
Qëndrimet në linjën e BE-së, apo kundër kësaj linje kushtëzohen nga konjukturat e brendshme dhe nga vetë aleatët e jashtëm që gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor zgjedhin që të bashkëpunojnë. Por, një analizë sesi janë sjellë këto gjashtë vende në katër vitet e fundit, provon se besnikëria ndaj Bashkimit Europian nuk shpërblehet gjithmonë. Rasti më tipik është Shqipëria.
Me përjashtim të 2016, kur Shqipëria u rreshtua në krah të Bashkimit Europian në 93.94 për qind të deklaratave, qëndrimeve e vendimeve të politikës së jashtme të Brukselit, në të tre vitet e tjera, Tirana zyrtare ka ruajtur një qëndrim të unifikuar, pra duke mbështetur 100 për qind BE-në në çdo vendim të saj, duke përfshirë këtu edhe votën në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku u ndoq qëndrimi i BE-së, që në rastin e Jeruzalemit doli kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në knivelet e Shqipërisë është edhe Mali i Zi, ndërkohë që me ardhjen e Zoran Zaev në krye të qeverisë, Maqedonia e Veriut ka arritur në 85 për qind. Bosnja mbështet BE-në në vendimet e saj në një mesatare vjetore prej 70 për qind, ndërsa nivelin më të ulët e ka Serbia.

Beogradi zyrtar vitin më të mirë ka 2015, kur ka mbështetur në 73 për qind deklaratat e vendimet e Brukselit. Kjo mbështetje ka në 46 për qind në 2017 dhe në 51 për qind në 2018. Kjo rënie e mbështetjes që Serbia u jep vendimeve të BE-së mund të argumentohet me ngërçin në dialogun me Kosovën. Beogradi nuk gjen faj tek vetja në këtë ngërç, por gishtin e drejton nga Prishtina dhe Brukseli.
Por, pavarësisht “shpërfilljes” të gjysmës së qëndrimeve zyrtare të BE-së, Serbia sot konsiderohet si një kandidat më potencial për anëtarësim sesa Shqipëria. Ajo ka hapur negociatat e anëtarësimit, madje duke tejkaluar dy kapituj të tyre, ndërsa Shqipëria pret qershorin me ethet e një vendimi negativ, të kushtëzuar edhe nga kriza politike që ka shpërthyer në Tiranë.
Si të mos mjaftonte kjo, së fundmi po qarkullojnë disa raportime të pakonfirmuara ende se Shqipëria do të ngelë edhe pas Shkupit. Me zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonisë së Veriut pritet që t’i jepet drita jeshile e hapjes së negociatave në qershor, duke e veçuar atë nga Shqipëria. Për vendin tonë sinjalet nuk janë pozitive.
Një prej rasteve më të rëndomtë e më tipikë të besnikërisë së verbër të Shqipërisë ndaj vendimeve të BE-së ishte në fund të majit të 2018. Pak ditë pas Komisioni Europian kishte marrë një vendim jodetyrues për vendet anëtare të BE-së për të ndaluar gjashtë pesticide, që fajësoheshin si faktorë për reduktimin e kolonive të bletëve, ministri i Bujqësisë në atë kohë, Niko Peleshi komunikoi nga një takim me fermerët në Lezhë urdhrin për ndalimin e këtyre pesticideve.

Në vetvete nuk ka asgjë të keqe në këtë vendim, por ky nuk është problemi më i madh i bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë dje e sot dhe më shumë se realitet në terren është një vendim që tregon në rastin më të mirë nxitimin dhe në rastin më të keq servilizimin e që ka karakterizuar gjithmonë politikën shqiptare në pushtet përballë Brukselit.
Pavarësisht kësaj besnikërie, Brukseli ka zvarritur hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përmes gjuhës së kujdesur diplomatike ka nisur që t’i paraprijë edhe një refuzimi të mundshëm në qershor të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





