Kombetarja

Shqipëria bën ‘blerjen’ e radhës te Kosova, Arbnor Muja do të luajë për kuqezinjtë

Gazeta Si – Arbnor Muja, futbollisti nga Mitrovica, do të përfaqësojë Kombëtaren shqiptare në vazhdim. Lajmi nuk është ende zyrtar, por sipas ‘Sport Ekspres’ ai ka vendosur të luajë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Silvinjo.

E përforcon këtë lajm edhe fakti se sulmuesi anësor, i sapo shpallur kampion në Belgjikë me Antverp, mungonte në listën e trajnerit Zhires te Kosova. Muja, 24 vjeç, ka bërë një paraqitje të mirë në Belgjikë sezonin e fundit. Më parë ai ka luajtur me Skënderbeun në Shqipëri dhe Dritën e Trepçën në Kosovë.

Arbnor Muja, 24 vjeç, feston nje gol me Antverp. Gazeta Si, 6 qershor 2023

Gjatë konferencës për shtyp trajneri Silvinjo u shpreh se mungesa e Odise Roshit në listë të bënte me faktin se Shqipëria ka lojtarë që në këtë moment mund të bëjnë më mirë se fieraku. Ai nuk përmendi emra, por Muja aktivizohet pikërisht në të njëjtin rol me Roshin.

Futbollisti kosovar gjithsesi pritet të bashkohet me kuqezinjtë pas ndeshjeve të qershorit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Teksa festonte titullin kampion në Belgjikë, Muja është fotografuar me flamurin kuqezi mbi shpatulla dhe jo atë të Kosovës.

Vendimi i tij pritet të shkaktojë reagime në Kosovë. Me kuqezinjtë luajnë aktualisht disa lojtarë me origjinë apo të lindur në Kosovë, si Berisha, Ismajli, Gjimshiti e ndonjë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë