Futboll

Shqipëri-Lihtenshtein 3-0/ Një ndeshje që vlen për konfirmimet

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria ka mbyllur me sukses përballjen miqësore me Lichtenshtein, me dy gola në pjesës të parë dhe një në pjesën e dytë.

Goli i parë erdhi në minutën e 31, me autor Armando Brojën, pak çaste më vonë ai i Jasir Asanit dhe u finalizua me atë të Ernest Muçit në minutën e 67.

Kombëtarja nisi pjesën e parë të lojës me vrull e aksion, duke dominuar topin e duke ushtruar presion. Kuqezinjtë krijuan disa raste për të shënuar.

Një test ku, pavarësisht rezultatit, kishte rëndësi performanca dhe sinjalet e lojtarëve për trajnerin Sylvinho.

Një kundërshtar i lehtë në letër, por edhe në numra dhe histori, por mënyra se si u vendos Lihtenshtejni ndoshta ishte e duhura, për të vënë në punë mekanizmat e Kombëtares, për të ndërtuar dhe për të gjetur golin.

Jo vetëm kaq, por një kundërshtar i tillë ndërton edhe habitatin e duhur për trajnerin që edhe të eksperimentojë, me të vetmin qëllim, për të implementuar idetë e tij dhe për të marrë sinjalet nga secili lojtar.

Armando Broja u rikthye në fushën e lojës si titullar dhe luajti 62 minuta, për herë të parë që pas sfidës me Suedinë, me sulmuesin që realizoi golin e parë të ndeshjes dhe jo vetëm, por gjatë gjithë kohës vrapoi pafundësisht, i vëmendshëm dhe i gatshëm për të shfrytëzuar çdo moment, por edhe në ato momente kur disa pasime nuk ishin në sinkron, sulmuesi provonte vazhdimisht t’i mbante në lojë.

Formë kjo që tregon se pavarësisht dëmtimit që ka kaluar, apo sezonit nga i cili vjen, Broja disponon cilësi që bëjnë diferencën.

Ashtu si Armando, edhe Asani që tregoi se nga distanca është i pandalshëm dhe pavarësisht mungesës së minutave në skuadrën e tij, mbetet një “kartë” e rëndësishme e trajneri Sylvinho.

Bajrami dhe Asani janë dy lojtarë të konfirmuar, që përsëri treguan se janë në ritmin e duhur, teksa në krahun e majtë Hoxha ishte vazhdimisht këmbëngulës dhe aktiv, me duele shpejtësie, inkursione dhe furnizim për pjesën tjetër të skuadrës.

Ajo çfarë kishte rëndësi, në mungesë të Gjimshitit që nuk mori minuta për shkak se sapo ishte bashkuar me Kombëtaren, mbrojtja tregoi siguri duke regjistruar edhe një portë të pastër, pavarësisht se duhet theksuar që kundërshtari na vendosi pak, për të mos thënë aspak në vështirësi.

Ernest Muçi gjithashtu gjeti rrugën e rrjetës, moment që padiskutim do të ndikojë në moralin e lojtarit që vjen pas një sezoni shumë të mirë në aspektin personal, sidomos në pjesën e dytë me Besiktas, e në krahun tjetër debutimi i Medon Berishës ishte absolutisht moment krenarie për të në aspektin personal, por edhe një tregues se mesfushori mund të jetë risia e këtij grumbullimi, e tani ndoshta është vetëm pritja e rrjetës për Manajn që erdhi në fushë në vendin e Brojës.

Fitorja 3-0 nuk shërbeu vetëm për histori, por padiskutim që tani trajneri Sylvinho i ka idetë disi më të qarta dhe ato pikëpytje që kanë mbetur mund të marrin përgjigje pak ditë më pas, kur Shqipëria të zhvillojë miqësoren e dytë atë kundër Azerbajxhanit, një kundërshtar me të tjera kredite krahasur me Lihtenshtejnin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë