Nga Gazeta Si – Broja gabon dy herë përballë portierit në mënyrë të pabesueshme, duke ia dhënë topin në duar. Mbrojtësit bëjnë gafa të pafalshme dhe Shqipëria mundet sërish nga Izraeli.
Ka përfunduar 2-1 ndeshja në Tel Aviv, ku kuqezinjtë bënë një lojë shumë të zbehtë. Kombëtarja u shfaq nën nivelin mesatar, me një mesfushë apatike. Një skuadër shumë e zgjatur dhe shumë pak e rrezikshme. Goli i bukur i Uzunit u zhvlerësua nga gabimet e mbrojtjes.

Që në fillim Broja kishte shansin ta çonte ndeshjen në rrjedhën që do donin kuqezinjtë, por e fali Izraelin. Më pas loja ishte kryesisht e ekuilibruar.
Sapo nisi pjesë e dytë, pas një topi të humbur në mënyrë krejt naïve nga Hysaj, Izraeli kaloi në avantazh. Kros nga e djathtë dhe Veisman, në mes të dy mbrojtësve, devijon saktë duke mposhtur Strakoshën. Shqipëria provon të reagojë, por nuk është shumë e qartë në sulme.
Abrashi dhe Asllani zëvendësohen nga Ramadani dhe Bajrami. Kombëtarja jonë shtyn më shumë përpara dhe Ramadani i afrohet golit, por gjuajtja e tij devijohet nga portieri izraelit. Ka edhe nervozizëm te lojtarët tanë, pasi Izraeli vonon lojën me çdo lloj mënyre.






Uzuni zë vendin e Cikalleshit dhe 2 minuta para fundit barazon me një gjuajtje fluturimthi, pas zhvillimeve të një goditje këndi. Kur dukej se kuqezinjtë do të shpëtonin nga humbja, Baribo i jep fitoren ekipit vendës me golin e dytë. Por edhe këtë herë është një dhuratë e mbrojtjes sonë, që i ul topin sulmuesit izraelit për të shënuar.
Vazhdon kështu me dështime ky edicion i Ligës së Kombeve. Vetëm 1 pikë në 3 ndeshje dhe tashmë largimi i Rejës nuk është thjesht një hipotezë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




