Shendet

Shqipëri/ Duhanpirja ‘ushqen’ kancerin e parandalueshëm

Shumë kancere lidhen me dy zakone të modifikueshme: pirjen e duhanit dhe konsumimin e alkoolit.

Nga Gazeta Si- Pothuajse 40% e rasteve të reja të kancerit në mbarë botën janë potencialisht të parandalueshme, sipas njërit prej hetimeve të para të këtij lloji, i cili analizoi dhjetëra lloje kanceri në pothuajse 200 vende.

Sipas hartës globale të publikuar në studimin e Nature Medicine mbi barrën e kancerit të atribuueshme ndaj faktorëve të modifikueshëm, Shqipëria renditet mes vendeve ku duhanpirja është faktori kryesor i rasteve të reja të kancerit, si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Kjo e pozicionon vendin në të njëjtën kategori me shumicën e vendeve europiane, ku konsumi i duhanit mbetet shkaktari dominant i kancerit, duke lënë pas faktorë të tjerë si infeksionet, obeziteti apo ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit. Të dhënat sugjerojnë se një pjesë e konsiderueshme e barrës së kancerit në Shqipëri është potencialisht e parandalueshme, duke nënvizuar nevojën për politika më të forta kundër duhanpirjes, masa parandaluese dhe ndërgjegjësim publik për reduktimin e rrezikut shëndetësor.

Studimi zbuloi se në vitin 2022, afërsisht shtatë milionë diagnoza të kancerit ishin të lidhura me faktorë rreziku të modifikueshëm- ata që mund të ndryshohen, kontrollohen ose menaxhohen për të zvogëluar gjasat e zhvillimit të sëmundjes. Në përgjithësi, pirja e duhanit ishte kontribuesi kryesor në rastet e kancerit në mbarë botën, e ndjekur nga infeksionet dhe pirja e alkoolit. Gjetjet sugjerojnë se shmangia e faktorëve të tillë të rrezikut është “një nga mënyrat më të fuqishme që ne mund ta zvogëlojmë potencialisht barrën e kancerit në të ardhmen”, thotë bashkautorja e studimit Hanna Fink, epidemiologe e kancerit në Agjencinë Ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kërkime mbi Kancerin në Lyon, Francë.

Trend shqetësues

Kanceri vazhdon të jetë një shkak kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve në mbarë botën, me rastet që pritet të rriten gjatë dekadave të ardhshme nëse trendet aktuale vazhdojnë. Studimet e mëparshme kanë vlerësuar se rreth 44% e vdekjeve globale nga kanceri mund t’i atribuohen shkaqeve të shmangshme ose të kontrollueshme. Vlerësimet e parandalueshmërisë janë përqendruar kryesisht në numrin e vdekjeve sesa në rastet dhe kanë hetuar kryesisht një faktor të vetëm rreziku, thotë Fink.

Për të adresuar këtë boshllëk, Fink dhe kolegët e saj shqyrtuan të dhënat globale të rasteve nga viti 2022 për 36 kancere të ndryshme në 185 vende.

Studimi përfshiu 30 faktorë rreziku të modifikueshëm që janë shkaqe të mirëpqërcaktuara të kancerit, sic janë pirja e duhanit, konsumi i alkoolit dhe infeksionet.

Hulumtuesit e kombinuan këtë informacion me të dhëna nga viti 2012 që kapën ekspozimin e njerëzve ndaj secilit faktor rreziku. Fink dhe kolegët e saj më pas vlerësuan përqindjen e rasteve që ishin të lidhura drejtpërdrejt me secilin faktor rreziku.

Pirja e alkoolit dhe pirja e duhanit

Në vitin 2022, pati gjithsej 18.7 milion raste të reja të kancerit në të gjithë botën. Afërsisht 38% – ose 7.1 milion – e këtyre rasteve mund t’i atribuohen shkaqeve të shmangshme. Globalisht, pirja e duhanit ishte kontribuesi kryesor, duke përbërë rreth 15% të rasteve të parandalueshme. Kjo u pasua nga infeksionet (10%) dhe pirja e alkoolit (3%). Kanceri i mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës përbënte pothuajse gjysmën e të gjitha rasteve të kancerit të parandalueshëm.

Rreth 30% e 9.2 milionë rasteve të reja tek gratë ishin të parandalueshme. Më shumë se 11% e këtyre rasteve ishin të lidhura me infeksione, të tilla si ato të shkaktuara nga papillomavirusi njerëzor (HPV) – shkaku kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Shumica e këtyre rasteve ndodhën në rajone me të ardhura të ulëta dhe të mesme, siç është Afrika Sub-Sahariane, ku normat e kancerit të qafës së mitrës janë më të larta. Ndërkohë, pirja e duhanit ishte shkaku dominues i kancerit tek gratë në rajonet me të ardhura të larta, duke përfshirë Amerikën e Veriut dhe pjesën më të madhe të Europës.

Globalisht, pirja e duhanit ishte faktori më i madh i rrezikut për burrat, duke përbërë pothuajse një të katërtën e 4.3 milionë rasteve të kancerit të parandalueshme. Ai mbeti shkaku kryesor i kancerit tek burrat që jetojnë në rajone me të ardhura të ulëta dhe të larta. Infeksionet renditeshin të dytat – kryesisht ndodhin në pjesë të Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut – të ndjekura nga pirja e alkoolit.

“Studimi është një ‘punë e shkëlqyer’ që sinjalizon nevojën për të dyfishuar përpjekjet për kontrollin e kancerit’, thotë David Ëhiteman, epidemiolog mjekësor në Institutin e Kërkimeve Mjekësore QIMR Berghofer në Brisbane, Australi. Ai shton se të dhënat gjithëpërfshirëse do ta bëjnë më të lehtë për studiuesit të bëjnë krahasime të besueshme midis rajoneve.

Fink shpreson që gjetjet do të përdoren për të zhvilluar strategji për parandalimin e kancerit në bazë të faktorëve më të mëdhenj të rrezikut në rajone të ndryshme për burrat dhe gratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë