Analize

Shpresat por edhe sfidat e mëdha të procesit të zgjerimit të BE-së

Nga Marika Djolai - Komisioni Evropian miratoi më 8 nëntor Paketën e tij të Zgjerimit 2023, e cila përmbante disa sinjale pozitive për anëtarësimin në BE të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës, si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Paketa u prezantua së bashku me një Plan të Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor që përfshin 6 miliardë euro fonde, të cilat do të shpenzohen gjatë viteve 202-2027.

Ndihma financiare synon të stimulojë përparimin ekonomik dhe integrimin në tregun e përbashkët të BE-së. Ndërkohë, pas shumë viteve kërkesa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për një afat kohor specifik, Këshilli Evropian më në fund ka treguar një objektiv informal, vitin 2030, për anëtarësimin e tyre. Dhe kjo shtron pikëpyetjen nëse më në fund po shohim ndonjë përparim real drejt zgjerimit dhe reformimit të BE-së.

Përparim në mesin e shqetësimeve mbi sigurinë

Pushtimi rus i Ukrainës dhe përshkallëzimi drastik i konfliktit Izrael-Palestinë, kanë ngritur shqetësime për sigurinë në BE por edhe në mbarë botën. Dhe kjo ka bërë që zgjerimi të kthehet në një çështje të rendit të ditës. Në deklaratën e saj që shoqëroi prezantimin e Paketës së Zgjerimit 202, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se zgjerimi përfaqëson një investim mbi sigurinë, dhe që do të rritë gjithashtu tërheqjen globale ndaj BE-së.

Në këtë kontekst, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, kanë ecur më mirë se Ballkani Perëndimor. Komisioni ka rekomanduar hapjen e negociatave me Moldavinë dhe Ukrainën, pak më shumë se 16 muaj pasi atyre iu dha statusi i kandidatit. Sa për krahasim, koha midis dhënies së statusit të kandidatit për Maqedoninë e Veriut dhe hapjes së negociatave ishte plot 17 vjet, ndërsa Shqipëria u përball me një pritje prej 8 vitesh.

Cilat vende janë në një pozicion më të mirë?

Çdo vit, Komisioni Evropian vlerëson progresin e secilit vend kandidat përkundrejt një sërë kriteresh për anëtarësim (të njohura si Kriteret e Kopenhagës) dhe publikon një raport. Ky i fundit merr gjithnjë një vëmendje të madhe.

Por ato janë çdo vit e më të gjata - këtë herë 160 faqe vetëm për Serbinë - dhe në kushtet kur përfundimet shprehen shpesh në një gjuhë të paqartë, është e diskutueshme se sa të dobishme janë vërtetë për secilin vend.

Të gjashtë vendet e Ballkanit lindor janë kritikuar për sistemet e tyre të dobëta gjyqësore, përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe për mungesën e lirive themelore, përfshirë median. Të gjithë këta faktorë mundësojnë një zhvendosje drejt autoritarizmit në të gjithë rajonin.

Serbia përfaqëson vendin më të madh në Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, raporti i këtij viti9t tregon një përparim të kufizuar në gati të gjitha fushat. Presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 17 dhjetor.

Situata në Serbi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë. KE rekomandoi hapjen e negociatave me kushtin që të përmbushen disa kushte. Ndërkohë Serbia ka një ndikim destabilizues edhe në Bosnje. Edhe raporti i progresit të kësaj të fundit vuri gjithashtu në dukje pak përparim në fushat kryesore gjatë vitit të kaluar.

Mali i Zi ishte i pari që hapi negociatat e pranimit në 2012, dhe u konsiderua një pararendës në këtë proces. Por ky avantazh është zhdukur prej kohësh. Raport-progresi i këtij viti dokumenton probleme të zakonshme ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në përgjithësi, në Malin e Zi ekziston një ndjenjë e stanjacionit të procesit, në mesin e mes sfidave të mëdha institucionale dhe sistemike. Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, vuri në dukje nivele të moderuara të përgatitjes për anëtarësimin në BE në fushat kryesore. Megjithatë, njohu sfidat e reja politike dhe polarizimin në rritje në të gjithë vendin.

Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së u bllokua në vitin 2020 nga kërkesat e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese në lidhje me historinë, kombësinë dhe njohjen e pakicave. Megjithatë, raportohet për një bashkëpunim të mirë mes dy vendeve në fusha të tjera, si për projektet e infrastrukturës dhe bashkëpunimin policor.

Ndërkohë raporti i progresit në Shqipërinë e vitit 2023, tregoi se vendi është i angazhuar për t’u pranuar në BE-në, si në politikën e tij të jashtme, me një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e marrëdhënieve të jashtme, sigurisë së huaj dhe mbrojtjes.

Negociatat me Shqipërinë tashmë janë hapur dhe Komisioni publikoi së fundmi një raport shqyrtimi që tregon progres të qetë. Megjithatë, ai mbetet ende prapa në reformat e brendshme, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjeorgjia, Moldavia, Turqia dhe Ukraina

KE njoftoi në 8 nëntor se Gjeorgjisë duhet t’i jepet statusi i kandidatit, me kushtin që ky vend të përmbushë 9 kushte. Rekomandimi u bë pavarësisht se Gjeorgjia dështoi ta harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në në lidhje me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Por përkundër këtij përparimi të dukshëm, reformat që kërkohen ka të ngjarë të ndeshin ne rezistencën e fortë nga partia në pushtet, e cila mund të zbehë njëherë e mirë çdo shpresë për anëtarësim. Moldavia dhe Ukraina tani janë qartazi në krye të këtij procesi.

Ato janë gjithashtu dy shtetet që kanë më shumë nevojë dhe e duan anëtarësimin në BE, ndërsa synojnë të mbrohen nga agresionit rus. Raport-progresi mbi Ukrainën, flet për një rekord të përmirësuar të hetimeve dhe dënimeve të nivelit të lartë për korrupsion gjatë  6 muajve të fundit, si dhe përmirësime në kornizën institucionale të vendit.

Edhe Moldavia ka treguar një angazhim serioz për kryer reformat në sistemin gjyqësor, në krijimin e një parlamenti të fortë dhe për korniza institucionale dhe legjislative  më të forta për respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Së fundmi është Turqia, kandidate që nga viti 1999, nuk mund të neglizhohet plotësisht, me gjithë një përkeqësim të madh të standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit.

Ndikimi i saj politik dhe financiar në zonat kryesore gjeografike dhe strategjike është shumë i rëndësishëm për Evropën, dhe kjo mjafton për ta mbajtur tani për tani atë në tryezën e bisedimeve për një pranim të mundshëm në të ardhmen.

Një proces i pabarabartë

Pavarësisht progresit të dukshëm drejt zgjerimit të ardhshëm të BE-së, procesi i anëtarësimit mbetet i polarizuar. Tashmë ai varet gjithnjë e më shumë nga zhvillimet gjeopolitike që prekin vendet që aspirojnë të anëtarësohen dhe që ndodhen në periferinë e BE -së. Kjo e bën atë të duket më shumë një proces politik sesa ai i bazuar tek meritat.

Po ashtu është e rëndësishme edhe kostoja ekonomike e zgjerimit, duke pasur parasysh buxhetin operativ të një BE-je 36-anëtarëshe parashikohet të rritet me më shumë se 250 miliardë euro. Ndërkohë ekzistojnë edhe sfida të tjera të mëdha që lidhen me integrimin e një vendi të madh si Ukraina.

Përballë gjithë këtyre sfidave, BE-ja duhet të angazhohet në një proces reformash të brendshme. Zgjerimi do të shkaktojë një rishikim më të gjerë të strukturës aktuale, i cili do të ndikojë tek institucionet dhe mënyra e veprimit e BE-së. Për ta forcuar ndikimin e saj në botë, BE-ja duhet të përfshijë edhe shtetet që nuk janë ende anëtare, por që ndodhen brenda orbitës së saj.

Burimi: “London School of Economics”/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim: Marika Djolai, pedagoge në Departamentin e Studimeve të Paqes dhe Zhvillimit Ndërkombëtar në Universitetin e Bredfordit në Angli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë