Kombetarja

Shpresat kryesojnë grupin në kualifikueset e Euro 2025, Bushi: Kam skuadër me karakter

Gazeta Si – Jo vetëm Kombëtarja e madhe, edhe Shpresat kryesojnë grupin e tyre kualifikues. Shqipëria U-21, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi fitoi së fundi 2-0 ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë e vegjël kanë 3 fitore dhe 1 humbje, janë të parët në grup, por kanë luajtur më shumë ndeshje se rivalët.

Trajneri Alban Bushi ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku ka folur për humbjen në Finlandë dhe fitoren me Malin e Zi: “Nëse i shikon ndeshjet në total, 4 sfida dhe 9 pikë, është goxha mirë për një ekip modest si Shqipëria. Për ndeshjet me Finlandën dhe Malin e Zi mendoj që nuk bëmë mirë në të parën.

Finlanda na ndëshkoi me dy gola në 5 minutat e para, e meritoi fitoren. Nuk kishim forcë sulmuese, disa lojtarë nuk i kishim në formën e duhur. Dua t’i falenderoj çunat, pasi e ngritën kokën shumë shpejt pas një humbje të thellë 4-1, arritëm të fitonim me Malin e Zi, kjo tregon që ata kanë forcë karakteri dhe shumë besim.

Ndaj Malit të Zi ishim me shumë mungesa, na u dëmtuan 5 lojtarë. Por ata që morën pjesë dhanë maksimumin dhe jam shumë i kënaqur. Diferencat janë shumë të vogla, kemi 9 pikë, kemi ndeshjet e radhës me Rumaninë dhe Malin e Zi, që janë shumë të rëndësishme. Mendoj që do të bëjmë mire, si në Rumani, po ashtu edhe në Malin e Zi.

Pas 4 ndeshjesh mendoj që jemi ekip modest, i dimë limitet tona. Nuk është se jemi euforikë, e dimë shumë mirë kush është Zvicra, Rumania, Finlanda, por kur jemi të bashkuar bëjmë gjëra të mëdha. Lojtarët potencialin e kanë, thjesht duhet motivim, dëshirë edhe pasion për Shqipërinë, për fanellën. Lojtarët motivohen edhe nga ekipi A, që ka bërë shumë mirë në kualifikueset e Europianit”, – ka thënë Bushi mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë