Kombëtarja U-21 kanë pësuar një humbje të thellë në “Air Albania”, ku është mundur 1-3 nga Zvicra e vendit të parë. Shpresat, të drejtuara nga trajneri Alban Bushi, kanë pasur disa momente të mira gjatë ndeshjes, por janë ndëshkuar nga goditjet standarde.
Surdez në pjesën e parë dhe Sançez dhe Keler në të dytën, kanë shënuar golat për Zvicrën në këtë sfidë, kurse Shpendi realizoi golin e nderit për Shqipërinë. Kur rezultati ishte 0-1, kuqezinjtë e vegjël pretenduan për një penallti, pasi Pajazaiti u pengua në zonë, por arbitri vazhdoi lojën.
Për këtë ndeshje, ashtu si dhe për atë me Finlandën pak ditë më parë, hyrja për tifozët ishte falas, megjithatë pjesëmarrja ishte e ulët.
Pas kësaj humbjeje, Shqipëria U-21 zbret në vend të katërt në grupin e saj, duke zbehur shanset e një kualifikimi të mundshëm. Zvicra përforcon pozitat e saj në krye, e ndjekur nga Rumani dhe Finlanda.
Një zhgënjim shumë i madh për kuqezinjtë e vegjël, të cilët në 2 ndeshje të luajtura në “Air Albania” morën vetëm 1 pikë, pas 1 barazimi me Finlandën dhe 1 humbjeje me Zvicrën. Vetëm një gol të shënuar për skuadrën e Bushit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.