Kombetarja

Shpresat fitojnë në Prishtinë me golin e Çokajt, “flirtojnë” me vendin e 2-të

Kombëtarja U-21 ka regjistruar sot fitoren e tretë radhazi në Grupin 3 të kualifikueseve të Euro 2021 dhe tashmë e sheh veten me 14 pikë, vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, që siguron kualifikimin. Ky vend mbahet aktualisht nga Austria me 15 pikë, që sot humbi në Austri dhe kuqezinjtë nuk mund ta humbisnin rastin për t’iu afruar. Megjithatë, kalendari favorizon austriakët në xhiron e fundit të ndeshjeve në grup, teksa ata presin Andorrën, kurse Shqipëria përballet me Anglinë kryesuese.

Ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” u vendos nga një gol i Çokajt në pjesën e parë. Ish-mesfushori i Laçit gjuajti saktë me kokë, pas krosit të Muçit nga këndi. Kuqezinjtë patën edhe disa raste të tjera të pastra në këtë ndeshje, ku u drejtuan nga Xhemal Mustedanagiç, pasi trajneri Alban Bushi ka dalë pozitiv me Covid-19. Është rikthyer në radhët e kuqezinjve pas një mungese të gjatë Albion Ademi, i cili e nisi ndeshjen si titullar. Titullar luajti edhe kapiteni i Kombëtares U-17, Mitaj.

Banderola mikpritëse e hotelit në Prishtinë për Kombëtaren U-21. Gazeta Si, 13 nëntor 2020

Për t’u veçuar është atmosfera mjaft pozitive që e ka shoqëruar këtë ndeshje në Prishtinë, siç tregon qartë edhe kjo banderolë. Shqipëria e ka mundur Kosovën në të dyja ndeshjet në grup, në Elbasan 2-1 dhe tani në Prishtinë 0-1.

Kosovë U-21-Shqipëri U-21 0-1
Shënues: Çokaj 35’
Kosova: Bisinger, Kqiku, Kurtulus, Vitija, Sadriu, Limani (Kryeziu), Hamdiu, Zekaj (Shabani 76’), Jashari (Baftiu 58’), Mustafa (Berisha 76’), Idrizi. Trajner: R.Prekazi.
Shqipëria: Selmani, Marku, Sota, A. Selmani, Mitaj, Çokaj, Kraja (Liço 58’), Ademi (Kolaj 46’), Mala, Tuci (Bullari 59’), Muçi (Xhixha 68’). Trajner: Xh.Mustedanagiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë