Mentor Kasa – Në qershor të 2014-s, Gjykata Kushtetuese e Zimbabves, vendit afrikan që nuk shquhet për një liri të madhe të medias dhe të shprehjes, pezulloi një ligj që kriminalizonte shpifjen dhe i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të paraqiste argumentat e saj se përse ligji në fjalë nuk duhej rrëzuar.
Ministria e Drejtësisë i dorëzoi pretendimet e saj dhe për dy vite me radhë u zhvillua një betejë gjyqësore për këtë çështje, në fund të së cilës, pra në 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi që ta rrëzojë ligjin dhe çuditërisht të fusë Zimbabven në listën e një grushti të vogël vendesh që e kanë plotësisht të dekriminalizuar shpifjen.
Shqipëria e ka ende të parashikuar në Kodin Penal këtë vepër dhe ajo asnjëherë nuk është dekriminalizuar. Pati një përpjekje në vitin 2012 nga qeveria “Berisha”, edhe si reagim ndaj thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për ta dekriminalizuar shpifjen.
“Uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes si një aktvendosmëri e politikanëve shqiptarë për të zgjeruar më tej, jo hapësirën e shpifjes, por të fjalës së lirë e për të mos përdorur askush manipulime, që në fund të fundit cenojnë vetë fjalën e lirë”, deklaronte ish-Kryeministri Sali Berisha në një takim me gazetarët e pronarët e mediave në ditët e para të janarit të 2012.
Berisha mburrej me krenari se përgjatë gjithë vitit 2011 nuk kishte pasur asnjë padi për shpifje nga ministrat e deputetët e tij dhe premtonte se këtij parimi për të mos paditur gazetarët do t’i qëndronte përsa kohë të ishte ai në krye të qeverisë.
Një muaj më vonë, në Komisionet Parlamentare kaloi propozimi i mazhorancës së atyre ditëve. Shpifja nuk u dekriminalizua, por mazhoranca dhe opozita ranë dakort që me ndryshimet të hiqnin parashikimin që ndëshkonte me 3 vite burg personat e gjetur fajtorë për këtë vepër. Ndryshimet u përshëndetën edhe nga Edi Rama, në atë kohë në krye të opozitës. Ai e quajti heqjen e burgimit një vendim të drejtë dhe mëse të mirëpritur.
Ndryshimet shkaktuan një pështjellim në media, ku në shumë prej tyre u fol për një dekriminalizim të shpifjes, ndërsa politika e kaloi në heshtje këtë temë. Në shtator të 2013, socialistët sapo kishin marrë pushtetin. Në Tiranë vizitorët ishin të shumtë e të shpeshtë. Një prej tyre ishte edhe Dunja Mijatoviç, ish-përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medias. Mijatoviç ndodhej në Tiranë për ndjekjen e punimeve të Konferencës së Europës Juglindore për Mediat dhe rastin e shfrytëzoi për të përcjellë edhe një mesazh për mazhorancën e re.
“Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm me heqjen e dënimit me burgim për shpifjen nga Kodi Penal. Unë ju nxis të bëni edhe hapin tjetër dhe ta dekriminalizoni plotësisht shpifjen”, tha Mijatoviç.
Por, dy vite më vonë, e për rastësi në kohën që shqyrtohej dekriminalizimi i shpifjes në Zimbabve, në Shqipëri ishte ndezur një debat për të rikthyer dënimin me burg për shpifjen. Ishte viti 2015 dhe Edi Rama ishte në krye të qeverisë që kishte kaluar nëpër duar projektligjin. Ndryshimet rikthenin dënimin me 3 vite burg për akuzën e shpifjes ndaj një zyrtari a funksionari të lartë shtetëror.
Propozimi i qeverisë u kundërshtua fort nga gazetarët, organizmat ndërkombëtarë dhe Avokati i Popullit. Ky i fundit e cilësoi një hap pas që bie ndesh me rezolutat e Këshillit të Europës, rezolutat e OKB-së dhe mbi të gjitha me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas presionit, Kryeministri Edi Rama, njoftonte përmes rrjeteve sociale tërheqjen, duke kërkuar ndjesë. Pavarësisht se propozimi në fjalë nuk përcaktonte politikanë, gazetarë apo qytetarë, pra ishte përgjithësues, Rama këmbëngulte se propozimi ishte vetëm për politikanët që shpifin.
Sot, Kryeministri i është rikthyer kësaj teme dhe ndoshta me mësimin e marrë nga 2015, apo ndoshta nga mungesa e votave në Parlament për të ndryshuar Kodin Penal, nuk flet më për burg, por për një paketë antishpifje me gjoba të majme për të gjithë shpifësit.
Rama kujton gjithashtu se shpifja është një vepër penale që dënohet me burg nga “25 vende të Bashkimit Europian”, mes të cilave përmend edhe Gjermaninë, megjithëse vetëm një vit më parë, Parlamenti Europian, përmes një rezolutë kërkon dekriminalizimin e shpifjes.
Më 13 shtator 2017, PE votoi rezolutën që kriminalizimin e shpifjes e interpreton si një prej pengesave kryesore në misionet investiguese të medias për të identifikuar, zbardhur dhe pasqyruar korrupsionin shtetëror në të gjitha nivelet.
“Mungesa e medias së lirë, online dhe offline, jo vetëm që bie ndesh me të drejtën themelore të lirisë së shprehjes, por krijon një mjedis të favorshëm për praktika të errëta, korrupsion dhe shpërdorim detyre në zyrat shtetërore e publike. Kriminalizimi i ligjeve kundër shpifjes, megjithëse është fakt në shumë vende të BE-së, minon lirinë e shprehjes dhe shkurajon denoncuesit dhe gazetarët që të denoncojnë korrupsionin. Për këto arsye, i bëjmë thirrje Komisionit që të adresojë këtë shqetësim tek vendet kandidate dhe ripërsërisim thirrjen tonë për shtetet anëtare që të dekriminalizojnë shpifjen, duke e ndëshkuar atë me padi civile”, thuhet në rezolutën e PE-së.
OSBE, Instituti Ndërkombëtar i Mediave dhe Article 19, një grupim ndërkombëtar shoqatash gazetarësh e reporterësh, quajtur kështu nga artikulli me të njëjtin numër i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, që prej vitit 2010 kanë identifikuar kriminalizimin e shpifjes si një prej pengesave kryesore në të drejtën e publikut për t’u informuar.
Nevojën për dekriminalizimin e shpifjes, OSBE e sheh si më jetike në vende me demokraci të re, si Shqipëria, ku sistemet e drejtësisë janë vulnerabël jo vetëm ndaj korrupsionit, por edhe ndaj ndikimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga personat e veshur me pushtet.
Në të gjitha raportet e studimet e tyre, këto organizma dalin në një përfundim të vetëm: kriminalizimi i shpifjes shkurajon gazetarët dhe reporterët në misionin e tyre për të denoncuar korrupsionin apo shkeljet e tjera ligjore që mund të kryejnë pushtetarët.
Gjermania bën pjesë tek ato vende ku shpifja ndëshkohet me burg dhe pavarësisht thirrjeve të OSBE-së dhe organizmave të OKB-së, Berlini nuk ka dhënë asnjë sinjal për dekriminalizimin e saj.
Atje, shpifja dënohet me burg, që në raste të veçanta shkon edhe përtej 5 viteve. Por, neni 187 i Kodit Penal gjerman flet për burg në rastet kur shpifësi e di që deklaratat që po bën janë të rreme. Shqetësimi që ngre OSBE në një raport të vetin në vitin 2017 thotë se për gazetarët gjërat janë më të komplikuara, pasi vetë ata mund të bien pre e një burimi që shpërndan informacion të rremë. Në të tilla kushte, vetë praktika gjyqësore në Gjermani ka unifikuar një qëndrim që nuk ndëshkon gazetarët në raste të tilla, edhe kur provohet që informacioni i shpërndarë ishte shpifje.
Rasti më i freskët është vendimi i 2012 i Gjykatës Rajonale të Dresdenit, që shpalli të pafajshëm dy gazetarë të dënuar në 2010 për shpifje nga një gjykatë më e ulët. Dy gazetarët ishin dënuar me gjobë nga 6 mijë euro secili. Çështja lidhej me dy artikuj, të publikuar në 2008 tek të përditshmet “Zeit” dhe “Der Spiegel”. Në artikuj hetoheshin lidhjet mes disa ish-zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë me një shtëpi publike në Saksoni. Në vitin 1993, kjo shtëpi publike ishte mbyllur dhe pronarët e saj u dënuan me burg për shfrytëzimin me forcë të minoreneve.
Në vitin 2000, policia rinisi një hetim për të zbuluar lidhjet mes politikanëve dhe shtëpisë publike, një skandal që u rikthye në 2007 i njohur si “Sachsensumpf”. Dy gazetarët, Thomas Datt dhe Arndt Ginzel publikuan dy artikuj të bazuar tek historitë e ish-prostitutave të shtëpisë publike. Ata u përqendruan më shumë tek pretendimi i disa prej këtyre prostitutave se kishin identifikuar disa zyrtarë të lartë, politikanë dhe gjyqtarë gjatë hetimeve në vitin 2000 dhe se këto identifikime i kishin konfirmuar edhe në polici. Por, dëshmia e tyre nuk u mor asnjëherë si provë.
Në artikullin e publikuar tek “Zeit”, Datt dhe Ginzel publikuan një informacion për të mbështetur burimet e tyre të informacionit duke ngritur pyetjen retorike nëse dy oficerët e policisë që po hetonin kishin qenë nën presion për të mbrojtur gjyqtarët dhe politikanët e identifikuar apo jo.
Oficerët në fjalë deklaruan në atë kohë se nuk ndjeheshin të fyer nga artikulli në fjalë, por komisioneri i policisë së komisariatit të tyre vendosi që të padisë për shpifje, dëmtim imazhi dhe reputacioni të dy gazetarët.
Gjykata Rajonale e Dresdenit e rrëzoi dënimin duke argumentuar se pyetja e ngritur nga gazetarët vërtet ishte e pabazuar plotësisht në fakte e prova, por faktet e provat që ata paraqesin në artikull ishin të mjaftueshme për të hedhur këto dyshime.
Veç dy oficerëve, gazetarët u paditën edhe nga një gjyqtar, emri i të cilit u përmend në artikullin “Paraja e pistë” të “Der Spiegel”. Padia u rrëzua duke cituar interesin publik dhe të drejtën për të informuar bazuar në fakte të mjaftueshme, që garantohet nga Kushtetuta gjermane. Gjykata thotë gjithashtu se sipas jurisprudencës gjermane, edhe kur koha provon se një raportim i mediave rezulton i rremë, duhen parë faktet dhe rrethanat në momentin që është shkruar, apo realizuar raportimi.
Ligji gjerman është i ashpër sidomos ndaj shpifjes e fyerjes së Presidentit të Shtetit. Në 2011, një bloger publikoi një imazh të modifikuar ku shfaqej bashkëshortja e Presidentit Christian Wulff duke bërë përshëndetjen naziste. Në rastet kur fyhet apo shpifet ndaj Presidentit, prokuroria nuk mund të nisë hetimet pa marrë më parë autorizimin nga vetë kreu i shtetit. Për rastin në fjalë, Wulff e dha autorizimin, por u tërhoq po vetë pak kohë më vonë. Sipas statistikave, nga 1990 deri në 2004, ka patur vetëm dy raste të tilla.
Jo vetëm kaq, por Kodi Penal gjerman ndalon edhe shpifjen dhe fyerjen për udhëheqësit e shteteve të tjera. Duke iu referuar kësaj pjese, në 2016, qeveria turke kërkoi nga qeveria gjermane hetimin dhe dënimin e komedianit Jan Bohmermann, mbi një poemë vulgare që ai e lexoi në televizor duke ironizuar Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Më 15 prill të 2016, Kancelarja gjermane njoftoi se e kishte miratuar kërkesën e qeverisë turke.
Pas disa muajsh hetime, më 4 tetor të 2016, prokuroria në Mainz njoftoi se kishte rrëzuar akuzat, pasi hetimi nuk mundi të provojë se ishte kryer një shpifje, a fyerje dhe se i akuzuari nga Erdogan mbrohej nga liria e shprehjes dhe e mendimit edhe si artist. “Poema është një punë artistike dhe fakti që poema shfrytëzohet për të shprehur një mendim të caktuar, nuk e zhvesh atë nga cilësia e saj si vepër arti”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.
Shpifja ndëshkohet ashpër sidomos në Hungari, Sllovaki, Polonia dhe Portugali. Por, OSBE ka ngritur disa herë shqetësimin se në këto vende, shpifja po përdoret nga politikanë të pushtetshëm dhe gjyqtarë për t’iu kundërvënë akuzave. Si dëshmi, shërbejnë edhe statistikat në Gjykatën e Strasburgut, ku thuajse në të gjitha rastet kur gazetarët kanë paditur shtetet respektive për dënimet për shpifje, Strasburgu i ka rrëzuar dënimet me argumentimin se këto dënime shkelnin Artikullin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Sot, mes vendeve anëtare dhe atyre kandidate për në BE, vetëm Anglia, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë shpifjen të dekriminalizuar, por presioni ndaj vendeve të tjera që nuk e kanë ndërmarrë ende këtë hap po rritet dita-ditës nga OKB, OSBE, Parlamenti Europian dhe shoqatat e organizatat e mediave dhe gazetarëve. Nën këtë tryesni, siç e përmendëm më lart ndodhet edhe Shqipëria. Por, këtu nisma për dekriminalizimin përfundoi vetëm me heqjen e dënimit me burg.
Pas tërheqjes në 2015, tashmë Kryeministri Edi Rama rikthehet me një tjetër paketë. Përjashton burgun dhe thotë se nga kjo paketë përjashtohen edhe mediat, ndërsa padinë e parë që do të ngrejë e ka gati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.