Interviste

Shpëtim Selmani: Prishtina, si gërshetim distopish dhe një grushti me dashuri

Me masat e kontrollit të përhapjes së virusit covid-19 që lehtësohen e shtrëngohen si të ishin filli i një litari të ngërthyer nga njëri krah prej njerëzimit dhe nga tjetri prej armikut të padukshëm, Prishtina i çeli dyert e teatrove. Ndryshe nga Tirana, ku Teatri Kombëtar i ka mbyllur dyert dhe ai Eksperimental i çeli shkurt për t’i ndërprerë sërish.

Për Shpëtim Selmanin, kjo vjeshtë ka qenë,  gjithsesi, e frytshme. Një çmim si  aktori më i mirë, bashkë me tre kolegët e tij, në filmin “Cirku Fluturues” dhe dy premiera në teatrot e Kosovës,  me shfaqjet “Kthimi i Karl Majit” dhe së fundi “Audienca e Vaclav Havelit”. Gjatë pranverës, Selmani do të vlerësohej edhe në fushën e letrave, me çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë.

Në një intervistë për Gazeta Si, shkrimtari dhe aktori flet për përvojat personale në skenë dhe letërsi, kalimet  nga poezia drejt prozës, përvoja e prindërimit që e bëri të derdhë mbi letër Libërthin e Dashurisë, por edhe atmosferën që mbizotëron këto ditë në Prishtinë duke e kthyer narrativen e një kombi njëzet vjet prapa në kohë.

Nga filmi "Cirku fluturues", me regji të Fatos Berishës

Në filmin “Cirku Fluturues”, regjisori Fatos Berisha ringjall një kohë kur gjenocidi serb  ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë ishte realitet që nuk mundej të shpërfillej më nga bashkësia ndërkombëtare dhe një kohë kur katër të rinj morën  aventurën e rrezikshme për dashurinë e teatrit. Ky i fundit ishte simboli i rezistencës në kohë lufte,  me Dodonën e Prishtinës që i vijoi shfaqjet pavarësisht masave të dhunshme të regjimit serb. Ndërsa pjesa e shkruar nga dramaturgu Jeton Neziraj “Kthimi i Karl Majit” është një përgjigje ironike ndaj paragjykimeve dhe stereotipave që ka ndërtuar Perëndimi për vendet e Lindjes dhe një tallje me Akademinë Suedeze, që një vit më parë laureoi me Nobelin e Letërsisë, shkrimtarin kontrovers të njohur për miqësinë e tij me Sllobodan Millosheviç dhe mohimin e krimeve të regjimit serb në popullsinë shqiptare dhe atë boshnjake gjatë luftërave të Ballkanit.

Edhe kjo vjeshtë prishtinase i ngjan një rezistence, në kohë të trazuara, ku pavarësisht sallës së mbushur vetëm në 30 përqind të kapacitetit dhe orës policore që i shtyn shfaqjet më herët se mbrëmjet tradicionale, Teatri “Oda” dhe ai Kombëtar i Kosovës vijojnë t’i kujtojnë publikut se arti është aty, që ta zbutë shpirtin e ankthshëm nga pasiguritë që e rrethojnë...

Selmani e përshkruan kryeqytetin e zemrës, Prishtinën, si një gërshetim i ashpër i distopive të ndryshme dhe prapë  një shpirt me dritë që ka për secilin qenie mbi faqe të dheut, një grusht me dashuri.

Selmani me të birin

Je nderuar me Çmimin e BE-së për Letërsinë me “Libërth Dashurie”.  A mund të na rrëfesh diçka më shumë rreth librit ?

Libri ishte edhe finalist tek çmimi “Kadare”. Gjithmonë kur mendoj për të thënë diçka rreth librit mbes duarbosh. Nuk kam asnjë interpretim të kënaqshëm. Megjithatë kësaj here ta themi se libri është shkruar në mënyrë fragmentare, në vitin më të rëndësishëm për mua. Ndryshimi i mënyrës së të jetuarit, vetëdija mbi përgjegjësinë dhe rezistenca e kamotshme ndaj realiteteve të dështuara,  të shformuara dhe kryekëput në duart e hajvanëve. Kur mora vesh që kisha marrë çmimin, një lëmsh i madh m’u krijua në gjoks. Kisha dashur t’ia  jepja lajmin babait tim të ndjerë. Ishte argumenti i vetëm që kisha për t’ia  dhënë një shkëlqim vetjak letërsisë. Ai e dinte që letërsia ishte një rrugë e vështirë. Unë ende nuk jam bindur. Pastaj mendova për rrugën që kisha bërë deri këtu. Është e natyrshme. Njerëzit janë viktima patetike. Dhe e kanë të nevojshme ndonjëherë t’i japin rëndësi vetes. Vetëm pas ca ditësh u çlirova dhe çuditërisht nuk më dukej edhe aq i rëndësishëm. Tani vetëm kur më thonë njerëzit, më bie në mend. Libri shpresoj të përkthehet.  Ndërkohë,  po punoj në një libër që do të vijë  si përgjigje e kësaj që kam shkruar. Një demantim tjetër i radhës. Adhuroj ta mbështes veten për muri.

Narrativa tek “Libërthi i dashurisë” nis me rrëfimtarin që reflekton mbi rutinën e çdo dite për të kaluar më pas me meditimet rreth një larmie tematikash, nga ato mondanet tek të përbotshmet dhe shpirtëroret, duke cikur copëza  nga e kaluara dhe e tashmja  dhe në çështje të pasojave vendase dhe globale. Më vonë, rrefimtari përzien monologët e brendshëm me një fokus tek e dashura dhe shtatzënia  e saj dhe ai shfaq shndërrimin vetjak, ndërsa përgatitet të bëhet prind. Ai reflekton mbi marrëdhënien e tij me të atin, tek marrëdhëniet me letërsinë dhe nacionalizmin, konusmerizmin dhe izma-t e tjerë. Ndjesia e të sjellit në jetë një krijesë të re e bën rrëfimtarin të rimendojë shqetësimet nga një kënd i ri dhe i ndryshëm. Narrativa mbyllet me dhënien e emrit  të të birit, duke lënë të kuptohet fuqia e referencës së gjuhës.

Sa i ndryshëm je në këtë libër, nëse bëjmë një krahasim me poezitë e tua? Ke botuar si në prozë, ashtu në poezi...

Nuk besoj që jam i ndryshëm. Barra e secilit është e pandryshueshme. Mund të ndryshojnë sall hapësira e manovrimit, manipulimit dhe shtrirjes kohore. Me rritjen e përgjegjësive, kohëve të fundit kam bërë një ikje taktike nga poezia. Pa e braktisur. Kam nevojë të shkruaj më shumë dhe proza sikur më duket që plotëson atë dëshirën e pashtershme për të thënë diçka, të atij majmuni që e kam në tru.

Selmani botoi një përmbledhje me tregime të shkurtra “Shënimet e një Grindaveci”  më  2012-n, si edhe një përmbledhje me poezi “Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit” më  2010-n, me një botim të dytë në 2017-n. Romani i tij më i fundit “Libërthi i Dashurisë” u botua më 2019-n.  Ai ka qenë pjesë e disa rezidencave letrare si “Krokodil”, në Beograd, më 2014-n, dhe tre vjet më vonë, në kryeqytetin shqiptar  “Poeteka, Tirana in Between”. Më 2017-n, ai mori pjesë në Panairin e Librit në Lajpcig.

Po çmimi,  ç’rëndësi ka në karrierën tënde?

Natyrisht çmimi ishte tepër i rëndësishëm. Por në një vit tejet të ankthshëm për të gjithë botën, gjë që ndikoi shumë në promovimin e tij dhe të fituesve tjerë, në ftesat e ndryshme që kisha dhe sigurisht botimet e mundshme në gjuhët e huaja, janë vënë në pikëpyetje. Gjithnjë për shkak të vështirësive që janë krijuar në proceset e punës. 

Synimi i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë është të vendosë në vëmendje krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore të Europës në fushën artistike, për të promovuar qarkullimin e letërsisë brenda Europës dhe për të inkurajuar një interes më të madh në veprat letrare jo-nacionale. Veprat e fituesve të këtij çmimi arrijnë një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare dhe prekin lexuesit përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë. Selmani është një nga 13 shkrimtarët e rinj dhe premtues, që e ka marrë çmimin e BE-së për Letërsinë për vitin 2020. Të tjerë shkrimtarë shqiptarë që janë vlerësuar me këtë ccmim janë Rudi Erebara, më 2017-n dhe Ben Blushi më 2014-n.

"Unë jam fëmijë i luftës dhe kjo është përtej çdo politike të mundshme"-Shpëtim Selmani

Ndonëse njihesh si poet e prozator, je diplomuar në Akademinë e Arteve dhe ke interpretuar në teatër, por edhe në kinematografi.  Të themi që,  me gjithë sfidat e pandemisë, ka qenë vit i frytshëm nga ana profesionale. Si ka qenë përvoja në filmin “Cirku fluturues”? Marrëdhënia në sheshxhirim me kolegët, por edhe me regjisorin Fatos Berisha?

Përvojë fantastike duke qenë se ne ishim miq të mirë dhe kishim punuar edhe më parë në shfaqje të ndryshme në teatër. Ishte filmi im i parë pas mbarimit të studimeve. Ishte një kohë që isha larguar goxha nga aktrimi,  duke punuar në një organizatë për aktivizëm qytetar dhe luftën kundër korrupsionit. Raporte jashtëzakonisht të mira,  gjë që pasqyrohen edhe gjatë filmit. Ne kishim punuar me Z.Berisha edhe para se të dilnim në sheshxhirim.

Cirk Fluturues , një komedi e zezë, rrëfen aventurat e rrezikshme të katër aktorëve të rinj nga teatri “Dodona”  të Prishtinës që kalojnë ilegalisht kufirin nga Mali i Zi, për të marrë pjesë në një festival teatrosh në Tiranë. Ishin vitet ’90, shtypja serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë ishte realitet, por gjenocidi ende nuk e kishte marrë jehonën ndërkombëtare. Të rinj, naivë, donkishotë ndoshta në ndërmarrjen e tyre, të shtyrë nga ideja se në atë festival teatrosh në Tiranë do të takonin idhullin e tyre, aktorin Michael Palin të “Monty Python”, trupa e komedisë surrealiste në Britani, që krijuan të famshmen shfaqje televizive “Cirku Fluturues i Monty Python”, nga ku duket se ka gjetur frymëzim për titullin regjisori Berisha.

"Cirku Fluturues" film nga Fatos Berisha

"Arti sot rrezikohet nga artistët. Diçka e çuditshme,  sot ndodh kudo në botë. Çdo rrezik vjen nga brenda"- Shpëtim Selmani

Filmi rrëfen për një kohë të rrezikshme dhe aventurën e katër të rinjve që nisen drejt Shqipërisë për të takuar idhullin e tyre në një festival teatrosh. Si i mban mend ti personalisht ato vite? Duhet të kesh qenë fëmijë...

Analizuam dhe kishim diskutime të rëndësishme për kohën kur ishte zhvilluar ngjarja. Një kohë e mbijetesës. E një diskriminimi që kishte shqetësuar rendin botëror. Një kohë e një racizmi të hatashëm etnik. Berisha është një dekonstruktues i hatashëm i raporteve njerëzore. Ai duke qenë vetë një figurë underground në skenën kulturore në vend, përjetoi shumë ndryshime të rëndësishme shoqërore si i rritur dhe arriti ta shkruajë një skenar të mahnitshëm që ka dy anët e njerëzores;  dhimbjen dhe humorin. Ai i dha kuptim identitetit të atëhershëm të njeriut kosovar dhe përmes rrëfimit të tij, e dokumentoi terrorin e asaj kohe mbi kosovarët dhe shtypjen e ëndrrave. Këtë gjë kaq elementare për individin,  veçanërisht të rinjtë. Personalisht më kujtohen si vite të errëta, me frikë, diçka barbare. Gjithnjë duke pyetur se çfarë do të ndodhte. Më kujtohet fytyra e shqetësuar e babait tim, tashmë të ndjerë dhe gjithë ai persekutim kolektiv. Babai im ishte peng i ushtarëve serbë për tetë orë, bashkë me ca burra tjerë. Kishte hapur varrin me duart e tij, i detyruar nga ushtarët serbë por diçka kishte ndodhur, që i kishin liruar. Një mister që nuk u deshifrua kurrë në mënyrë të saktë. Unë jam fëmijë i luftës dhe kjo është përtej çdo politike të mundshme.

Shpëtim Selmani dhe regjisori Fatos Berisha

Për ironi të fatit, e shkuara duket se është ringjallur më fort se kurrë, edhe pse Kosova nuk i ka harruar të humburit e saj në luftë, me akuzat në Gjykatën Speciale në Hagë, ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së... Si janë këto ditë në Prishtinë?

Unë nuk jam politikan por kam një kritikë të ashpër mbi atë se si kanë ecur gjërat pas lufte, qoftë në anën e fushës ku vepruan politikanët tanë,  qoftë në atë të ndërkombëtarëve. Një sjellje idiotike nga ana e nacionalistëve të egër, nga gjaku i ri i Millosheviçit në Serbi. Një hutim i madh, një sjellje fëmijërore nga ana e politikanëve tanë, një paaftësi e madhe e tyre shtetformuese dhe një gjykim për shtatë palë qejfe i ndërkombëtarëve që shijojnë këtë spektakël, që duhet të marrë fund. Për hir të qetësisë në Ballkan dhe rrjedhimisht në Europë. Prishtina është një gërshetim i ashpër i distopive të ndryshme. E mbushur me inate. Me kokëfortësi dhe me njerëz që kërkojnë funksione e të tjerët që i ruajnë ata. Por mbi të gjitha aksidentet që bien mbi të, Prishtina e ka një shpirt me dritë dhe për secilin qenie mbi faqe të dheut, një grusht me dashuri.

Filmi u prezantua për publikun shqiptar, ndërsa pjesa më e madhe e xhirimeve janë zhvilluar këtu dhe ju u vlerësuat të katërt aktorët,  me çmime në festivalin “Dea”. Si ishte pritja në Tiranë ?

Po. Filmi u prezantua në Festivalin “Dea” dhe ishte kënaqësi që katër protagonistët e filmit, të vlerësoheshin. Ishte shumë bukur. Meqenëse një pjesë e mirë e ngjarjes së filmit ndodh në Tiranë, audienca ishte e vëmendshme dhe e priti jashtëzakonisht mirë. Sepse ndiej se,  ndonjëherë kemi barriera në komunikim.

Mendon se arti është kura për të qetësuar frikërat dhe pasiguritë e shoqërisë sonë, të ngërthyer nga pandemia apo është kohë e vështirë për të bërë art?

Arti sot rrezikohet nga artistët. Diçka e çuditshme,  sot ndodh kudo në botë. Çdo rrezik vjen nga brenda. Më shumë se arti sot është e nevojshme ta kundrojmë një rrugë të vetmuar dhe t’i qeshim dikujt që nuk e shohim. Është koha për të ikur nga industrializmi shpirtëror dhe kapitalizmi mendor. Nëse mundemi. Natyrisht.

E megjithatë,  në Prishtinë nuk ju ka ndalur koronavirusi.  Me t’u hapur teatrot në Kosovë, u ngjite në skenë me “Kthimi i Karl Majit”. Cili ishte roli yt në këtë dramë të Jeton Nezirajt?

Po. Natyrisht me masa mbrojtëse dhe gjithnjë nën presionin që po rrezatohet kudo. “Kthimi i Karl Majit”, është një vepër e radhës nga ana e dramaturgut Neziraj, i cili me një ironi të pazakonshme tallet dhe në të njëjtën kohë kritikon, sistemet paralele të pushteteve. Ka kohë që luaj në dramat e tij dhe meqenëse shfaqja bënte fjalë për një shfaqje që po përgatitej, unë luaja rolin e aktorit. I cili nuk kishte emër. Mbase ky është një cinizëm i radhës nga ana e Neziraj. Aktori duke mos pasur një emër të caktuar, mbi shpinë i rëndojnë tërë emrat e mundshëm. Pra kam luajtur Slavoj Zizekun, policin hungarez, qenin slloven apo një bretkosë akrobatike.

Nga shfaqja "Kthimi i Karl Majit,Prishtinë, tetor 2020

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Europës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm. Në shfaqjen e shkruar nga Jeton Neziraj,  me regji të Blerta Neziraj,  Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësyn ‘tokave gjermane’. Në njërën anë një perëndim i idealizuar, çerdhe e dijes, shkencës, kulturës e civilizimit, me katolikë që mbajnë fjalën, të shkathët e të mençur, kurse në anën tjetër një lindje ekzotike, despotike, me njerëz të pagdhendur, të padinjitetshëm, hajdutë e myslimanë që Zot kanë plaçkënkjo është pjesë e trashëgimisë letrare në disa prej romaneve të shkrimtarit kult gjerman, Karl Maji.

"Nuk ka më pozicion të një artisti që shkëputet nga pozicioni i tij njerëzor"- Shpëtim Selmani

Shfaqja i bën një skanim Europës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”... por që, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-myslimane e anti-lindje.  Është një Europë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet! Përderisa Karl Maji dhe shkrimet e tij mund të ‘shfajësohen’, me arsyetimin se ai ka jetuar në një shekull të padijes, të errësirës dhe të mundësive të kufizuara të komunikimit e qarkullimit të informatave, si mund të amnistohet e justifikohet një autor si Peter Handke?

Kara Ben Nemsi niset bashkë me një trupë aktorësh nga Kosova drejt Berlinit për të zgjidhur konflikte . Si e ironizon Neziraj, së pari një shkrimtar si May- bestseller në Gjermani – e që ndoshta ka ndikuar në perceptimin stereotipik e racor të shoqërisë gjermane për Lindjen, për të kaluar më pas në atë që vetë dramaturgu e ka cilësuar si skanim të Europës së tanishme?

Neziraj është ekspert i zjarrtë i ironizimeve. Ai është i aftë që realitete të ndryshme të kohës t’i mbivendosë mbi të tjerat në mënyrë që të arrihet tek e vërteta. Ai është një manipulues i hatashëm i fakteve historike, një vështrues i mprehtë i raporteve njerëzore. Duke u marrë me të kaluarën ai sulmon ashpër regjimet e së tashmes. Pikëpamja e tij mbi gjendjen njerëzore është e bazuar në një gjykim të ashpër, të pamëshirshëm. Ngase ai e di shumë mirë se vetëm kështu duhet. Neziraj është një punëtor i madh. Me një humor katastrofik në jetën e përditshme ndërsa të admirueshëm në dramat e tij.

Si gërshetohen në këtë pjesë Zizek, Handke apo personazhe underground nacional-socialistë?

Në pjesën e Handkes ka pasur një intervenim të hatashëm nga ana e regjisores Blerta Neziraj. Përderisa audienca përballet me ceremoninë zyrtare  të dhënies së Nobelit për Letërsi, Handkes dhe me fjalimet e tij të çmendura, ai në mënyrë të pashmangshme do të përballet në të njëjtën kohë edhe me figura ultra-nacionaliste, sikurse krimineli Mlladiç, i cili shpërndan karamele nëpër audience, duke premtuar se asgjë nuk do iu ndodhte apo me ushtarët ndërkombëtarë që kishin heshtur përballë masakrës së Srebrenicës, ku u vranë 8000 mijë boshnjakë. Mendoj se është një intervenim i mençur dhe një argument i fuqishëm për t’ia  hedhur të palarat në fytyrë super-budallait Handke dhe tërë Akademisë Suedeze. Nuk ka më pozicion të një artisti që shkëputet nga pozicioni i tij njerëzor. Paramendojeni,  kryetari i tashëm i Serbisë, e përgënjeshtron dhe e quan të pavërtetë diçka që është e njohur nga drejtësia ndërkombëtare si gjenocid. A është normale? Apo sall, një gjë e gjallë. Sa i përket Zizekut, ai gjithmonë diku duhet të jetë prezent. Ne e kemi të nevojshme argëtimin.

Dramaturgu Jeton Neziraj dhe aktori Shpëtim Selmani

"Po shkruaj ca materiale tjera dhe shpresoj që ky vit ta lërë pas edhe ankthin që e solli. Përndryshe do të çmendemi me radhë"- Shpëtim Selmani

Shfaqja mendohej ta kishte premierën në Berlin apo jo? Po në Prishtinë a pati atë jehonë që ishte menduar se do të kishte në ‘tokat gjermane’, ku trupa do të mësynte përmes shfaqjes?

Po,  ama për shkak të situatës pandemike kudo në botë,  u anulua. Si gjithmonë Prishtina bëhet e nxehtë në net premierash. Natyrisht do të ishte ndryshe dhe mbase më e duhur që të jepej atje. Shpresoj që shumë shpejt do ta kemi njërën nga reprizat, pikërisht në teatrin ku ishte planifikuar të jepej si premierë. Të  përballet me audiencën gjermane dhe ta shohim reagimin e tyre gjerman dhe më pas,  të pimë ca nga birrat gjermane.

Një tjetër bashkëpunim me Neziraj, në një tjetër pjesë të shkruar prej tij, kësaj here në qendër është disidenti Vaclav Havel. Në një parashtresë të shfaqjes, luhet me termat kur thuhet se “Audienca e Vaclav Havelit”, është në fakt pak a shumë si “Audienca” e shkruar nga Vaclav Havel, një shfaqje gjysmë biografike e tij, me një akt. Ku ndryshon Audienca e Nezirajt me atë të Havelit apo është një teatër brenda teatrit?

“Audienca” e Vaclav Havelit” është një pjesë tjetër nga Neziraj, i cili e ka rivendosur në një realitet krejt tjetër,  nga Haveli. Por  jo edhe aq të largët, nëse marrim parasysh absurdin e dramave shoqërore. Një shfaqje në shfaqje, që problematizon burokracinë, nepotizmin, favoret dhe administratën. Një zinxhir i pashkëputshëm i favoreve. Një pështjellim i madh i roleve shoqërore. Ca personazhe të mjera që ujisin lulet me mjerimin e tyre. Një dramë serioze e komedisë njerëzore. Unë luaj rolin e një inspektori të hetuesisë që deshifron një lëndë, një akuzë ndaj një drejtori të teatrit. Në të vërtetë,  një hetues që kërkon ta arrijë një qëllim përmes një kushti të parashtruar në fund të shfaqjes. Duhet ta shihni. Një dramë e thellë psikologjike. Premiera e saj ishte me 18 Nëntor. Tash do të kemi reprizat e radhës.

Dukagjin Podrimaj dhe Shpëtim Selmani në "Audienca e Vaclav Havelit', Prishtinë nëntor 2020.

Në “Audienca e Vaclav Havelit”, shkruar nga Neziraj e me regji nga Agon Myftari  një drejtor i një teatri (Dukagjin Podrimaj)  vizitohet nga një hetues policie (Shpëtim Selmani), i cili ka me vete një dosje hetimore të quajtur “dosja teatri”.  Por ky s’është një hetues dosido, por një asi tipi kureshtar, i cili para se të kërcejë nga një lëndë në tjetrën, studion, analizon, informohet dhe pastaj i nis  hetimet. Shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm burokratik, një kullë Babeli  me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene, aneks-vendime e aneks-nene…  bash si një rrjetë e hekurt merimange, që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithsecilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.

Ndonëse e ardhmja është e zymtë, të paktën derisa Covid-19 do të jetë realitet mes nesh, por cilat janë planet që ke për të ardhmen?

Vështirë të planifikohet diçka në këto rrethana. Zakonisht nuk jam i dhënë pas planeve dhe nuk jam planifikues i mirë. Por ama ky vit ishte i mbushur me plane të anuluara si p.sh. qëndrime në shtëpi shkrimtarësh në Zvicër, ceremonia e ndarjes së çmimit,  në Bruksel. Po shkruaj ca materiale tjera dhe shpresoj që ky vit ta lërë pas edhe ankthin që e solli. Përndryshe do të çmendemi me radhë./ S.Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë