Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe drejtuesja e PS-së për qarkun e Shkodrës Elisa Spiropali reaguan pas shpërthimit të tritolit ndaj kryetarit të PD-së Rithemelimit të Vaut të Dejës.
Reagimi i Spiropalit erdhi menjëherë pas reagimit të Sali Berishës.
“I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës.
Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.
Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat.
Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.
E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve…”, tha Spiropali. Ndaj ngjarjes reagoi edhe Presidenti të martën në mesditë.
“Mësova me shqetësim mbi vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të Z.Bernard Ndreca, në Laç, Vau i Dejës.
Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj cdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu.
Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës”, tha Presidenti
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.