Kosova

Shpërthimi në veri / Lista Serbe: E qëllimshme, KFOR-i dhe EULEX-i të shtojnë praninë e tyre

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka reaguar pas shpërthimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lista Serbe ka dënuar ngjarjen e ndodhur dhe pretendon se kjo është bërë qëllimisht për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave speciale të armatosura në rrugët e Mitrovicës.

Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të forcojnë praninë e tyre në veri të Kosovës, veçanërisht në veri të Mitrovicës.

“…Jemi të bindur se kjo është bërë qëllimisht për të arsyetuar prezencën e shtuar të forcave speciale të armatosura dhe automjeteve të blinduara që mbrëmë ishin në rrugët e Kosovska Mitrovicës pas këtij incidenti dhe frikësuan qytetarët tanë. Hedhja e petardave apo piroteknika të ngjashme nuk është krim në vete, por ajo që na shqetëson është se falsifikimi i incidenteve të tilla synon të krijojë alibi për prezencën e forcave speciale të Kurtit në mjediset serbe, dhe represionin e vazhdueshëm të popullit tonë, si dhe arrestimet pa bazë.

Prandaj e përsërisim kërkesën ndaj KFOR-it dhe Eulex-it për forcimin e prezencës së tyre në veri të Kosovës dhe Metohisë, sidomos në Kosovska Mitrovica me qëllim parandalimin e këtyre incidenteve të fabrikuara, të cilat përsërisim regjimi i Kurtit me mjeshtëri i përdor si alibi për të justifikuar prezencën e njësive parapolicore, ngacmimi i popullit serb dhe arrestimi i serbëve”, shkroi Lista Serbe në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë