Kosova

Rikthehet uji në disa komuna pas shpërthimit në Zubin Potok, Kurti: Po punohet për të garantuar furnizimin me energji

Gazeta Si - Një ditë pas shpërthimit me eksploziv në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë në komunat e Fushë Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti po ashtu ka thënë se prurjet e ujit në KEK kanë arritur në nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit “Kosova B”.

“Ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq”, ka shkruar Kurti.

Më herët Kurti deklaroi se “znstitucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës, janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët”.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka thënë se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit është duke u kthyer në normalitet.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rizvanolli ka thënë se mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit.

Qeveria e Kosovës thotë se shpërthimi që ka ndodhur të premten në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vragë të Zubin Potokut, është sulm i dirigjuar e orkestruar nga Serbia dhe i kryer nga profesionistë.

Rizvanolli ka bërë të ditur se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Aktualisht janë vendosur autobotë uji në disa pika në Mitrovicën e Veriut - në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Jugut - në tri lokacione përfshirë në sheshin e qytetit, në Zveçan - afër Kuvendit Komunal, si dhe në Drenas, Skenderaj dhe Fushë Kosovë.

Për të përballuar situatën e krijuar, Shqipëria ka nisur që dje të ofrojë sasi energjie për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë

Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin e një nate më parë në kanalin e liqenit të Ujmanit.

Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Po ashtu, janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, 3 granata dore, dy armë automatike AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, helmeta ushtarake, maska, thika.

Të dielën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës, se Beogradi qëndron parapa sulmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë