Ne rrjet

Shpërthimet stërvitore kanë krijuar dëmtime të trurit te ‘Navy SEAL’, me dhjetëra raste vetëvrasjesh të marinsave

Hetimi i gazetës “New York Times” për dhjetëra vdekje: histori dramatike të ish-ushtarëve që u bënë të dhunshëm ose të paaftë për të menduar. Analizat në trurin e tyre nxorën në pah dëmin. A nuk e dinin autoritetet?

Gazeta Si - Një hetim i gazetës prestigjioze amerikane, "New York Times", ka hedhur dritë mbi një lloj dëmtimi të trurit të ushtarëve të kompanisë “Navy SEAL”, të cilët kanë humbur jetën nga vetëvrasja.

Një laborator ushtarak ishte në gjendje të analizonte tetë kampionë të  trurit të ushtarëve të marinës midis atyre që kishin kryer vetëvrasje në 10 vitet e fundit.

Analizat gjetën dëme të veçanta që rezultojnë nga ekspozimi i përsëritur i shpërthimit në çdo tru të testuar.

E veçanta është se shpërthimet nuk ishin domosdoshmërisht rezultat i konfliktit: shpesh, dhe në shumicën e rasteve, analizat retrospektive vërtetonin se ishin shpërthime të ndodhura gjatë stërvitjes.

Histori jetësh të kthyera përmbys

Historitë e mbledhura nga NYT janë dramatike: të paktën një duzinë nga “Navy SEAL” kanë vdekur nga vetëvrasja në 10 vitet e fundit, ndërsa ishin ende në ushtri ose menjëherë pasi kishin lënë uniformën.

Anëtarët e familjes tregojnë për njerëz krejtësisht të ndryshuar, shpesh pa gjumë ose të dhunshëm, të cilët mezi ishin në gjendje të kryenin detyrat minimale.

Historia e David Metcalf, i cili kreu vetëvrasje në garazhin e tij në Karolinën e Veriut në vitin 2019, pas gati 20 vitesh në Marinë, është emblematike.

Pak para vdekjes së tij, ai kishte rregulluar pranë vetes një pirg librash mbi dëmtimet e trurit dhe kishte ngjitur një shënim në derë, ku shkruhej: "Zbrazëtitë e kujtesës, mungesa e njohjes, humori i luhatshëm, dhimbje koke, impulsiviteti, lodhja, ankthi dhe paranoja nuk ishin ato që që jam unë, por janë ato që u bëra. Secila prej këtyre simptomave po përkeqësohet”. Më pas, ai qëlloi veten në zemër, për të lënë trurin e tij të paprekur.

Në errësirë ​​për gjithçka

Laboratori që kreu analizat e trurit dhe publikoi studimet përkatëse (ende në progres) është një Laborator i Departamentit të Mbrojtjes në Maryland.

NYT pretendon se udhëzimet e privatësisë në laborator dhe komunikimi i dobët në burokracinë ushtarake i mbajtën të fshehura rezultatet e testeve për vite me radhë, derisa vetë “Times” informoi Marinën për gjetjet e laboratorit në lidhje me SEAL-ët, që të cilët humbën jetën nga vetëvrasja.

Edhe në mesin e të gjallëve

Historitë e Marinës të treguara nga NYT janë të ngjashme: mosha mesatare është 43 vjeç, secili prej tyre ka marrë pjesë në luftime shumë herë, por asnjë nuk është lënduar nga zjarri i armikut. Ata kishin kaluar të gjithë vite duke qëlluar një arsenal të madh armësh, duke hedhur në erë dyert me eksploziv.

Rreth moshës 40-vjeçare, pothuajse të gjithë filluan të vuanin nga pagjumësia dhe dhimbjet e kokës, problemet e kujtesës dhe koordinimit, depresioni, konfuzioni dhe ndonjëherë zemërimi. Provat sugjerojnë se ky lloj dëmtimi mund të jetë po aq i përhapur midis SEAL-ve, të cilët janë ende gjallë.

Në Harvard, një studim i botuar këtë pranverë, skanoi trurin e 30 operatorëve specialë dhe gjeti një lidhje midis ekspozimit ndaj shpërthimit dhe strukturës së ndryshuar të trurit dhe funksionit të dëmtuar të trurit.

Sa më i madh të jetë ekspozimi ndaj shpërthimeve, aq më të mëdha janë raportuar problemet e shëndetit dhe cilësisë së jetës.

Nuk është "stres post-traumatik"

Ushtria pranon se lëndimet traumatike të trurit janë më të zakonshmet që vijnë nga konfliktet e fundit. Por është e vështirë të kuptosh se sa dëmtime janë për shkak të stërvitjes. Ka shenja se dëmi mund të vijë nga një gamë e gjerë armësh.

Valët e goditjes mund të vrasin qelizat e trurit fillimisht pa shkaktuar simptoma: por me kalimin e kohës efektet mund të shtohen.

Mjekët që trajtojnë ushtarët e plagosur i diagnostikojnë ata me çrregullime psikiatrike që nuk marrin parasysh dëmtimin fizik.

Pjesa më e madhe e asaj që klasifikohet si "çrregullim i stresit post-traumatik" mund të shkaktohet në fakt nga ekspozimi i përsëritur ndaj shpërthimeve.

Nuk është CTE

Lëndimi specifik i raportuar te “Navy Seals” nuk është "encefalopati kronike traumatike" (C.T.E.), sindroma e gjetur tek lojtarët e futbollit ose regbisë dhe sportistët e tjerë që janë goditur vazhdimisht në kokë.

Është diçka e re, edhe pse efektet në jetën e të prekurve të kujtojnë CTE-në, me raste të bujshme vetëvrasjesh apo jetë të kthyera përmbys.

Lëngu i trurit shpërthen në flluska

Dëmi është përshkruar si ind mbresë që formohet midis indeve të trurit me densitet ose ngurtësi të ndryshme – një linjë dëmtimi që duket se është shkaktuar nga përplasja e përsëritur e valëve goditëse.

Në praktikë, kur valët e energjisë që përhapen nëpër tru dhe kërcejnë nga kufijtë e indeve, ato krijojnë një vakum që shkakton qelizat e trurit të shpërthejnë në flluska avulli. Prej këtej nisin valët e plagëve.

Ekipi hulumtues i laboratorit e gjeti këtë dëm te veteranët e ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj shpërthimeve, por jo në trurin e civilëve, apo veteranëve të ekspozuar ndaj një shpërthimi të vetëm të fuqishëm (siç është një bombë në anë të rrugës). Lëndimet janë quajtur: “Shenjat e ndërfaqes astrogliale”.

Puna e një vejushe për kërkime

Studimet, thotë NYT, filluan falë punës së një të veje, Jennifer Collins, bashkëshorti i së cilës, shefi i nënoficerit në pension David Collins, ishte një “SEAL” për 20 vjet dhe vdiq nga vetëvrasja në vitin 2014, pak më shumë se një vit pasi u largua nga Marina.

Në fakt, pak familje e dinë për ekzistencën e laboratorit dhe kur bëhet fjalë për analizimin e trurit, vendimet duhet të jenë të shpejta: indet e trurit përkeqësohen me shpejtësi dhe në shumë raste është vonë.

Gjatë viteve, zonja Collins ka vepruar si një lidhje midis familjeve dhe laboratorit, duke i siguruar shkencës kampionët e indeve të trurit dhe duke lejuar kërkimin të përparojë.

Miq me prirje vetëvrasëse

Ushtarët që humbën jetën nga vetëvrasja, përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të “SEAL”-ve të karrierës që tregojnë shenja të dëmtimit të trurit pas viteve të kaluara midis shpërthimeve.

Disa veteranë të “SEAL” kanë thënë në intervista se shumë nga ish-shokët e tyre të ushtrisë, tani janë të divorcuar dhe po luftojnë me depresionin, paranojën dhe abuzimin me substancat, të cilat të gjitha mund të shkaktohen nga përkeqësimi i funksionit të trurit. Thirrjet e dëshpëruara nga miqtë që bëjnë vetëvrasje janë të zakonshme, thanë ata për NYT.

Veprime për trajnimin

Hapi tjetër është ndërgjegjësimi i problemit, shkruan NYT, nga autoritetet ushtarake: "Ne kemi një detyrim moral të mbrojmë shëndetin konjitiv dhe efektivitetin luftarak të shokëve tanë të skuadrës", deklaroi  në një shënim kundëradmirali Keith Davids, komandant i “Navy Special Warfare” (Luftës Speciale të Marinës), e cila përfshin kompaninë “SEAL”.

Ai tha se Marina po përpiqet të kufizojë dëmtimet e trurit, duke "kufizuar ekspozimin ndaj shpërthimeve dhe po merr pjesë aktive në kërkimet mjekësore të krijuara për të përmirësuar zbulimet në këtë fushë kritike".

Sipas NYT, Departamenti i Mbrojtjes, i cili shpenzon gati 1 miliard dollarë çdo vit për kërkimin e lëndimeve të trurit dhe shumë miliarda të tjera për të trajnuar dhe pajisur trupat, bën relativisht pak për të siguruar që gjetjet më të fundit shkencore mbi dëmtimin e trurit të informojnë praktikat.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë