Ka ndodhur

Shpërthim tritoli në burgun e Fushë-Krujës, Drejtoria e Burgjeve: Nuk u rrezikua jeta e të dënuarve

Gazeta Si – Një shpërthim me tritol ka ndodhur brenda rrethimit të burgut të Fushë-Krujës mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 22: 45, ndërsa dyshohet se është tentuar të dëmtohet gjeneratori, i cili ndodhet në këtë burg.

Lënda eksplozive ishte artizanale, e krijuar me nitrat dhe aktivizimi i saj përveç dëmeve, nuk ka shkaktuar të lënduar.

Fillimisht në polici mbërriti një telefonatë se brenda rrethimit të burgut është dëgjuar një zhurmë e fuqishme, ndërsa në vendin ku ka ndodhur shpërthimi ndodhen disa gjeneratorë dhe kabina elektrike.

Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori.

“Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve”, – thotë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në njoftimin e saj për shtyp.

Policia ka dyshime se lënda plasëse u hodh nga një person me kapuç nga jashtë ambientit të burgut. Shpërthimi është dëgjuar nga ana e administratës së burgut, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz.

Nga shpërthimi, nuk ka pasur as dëme materiale dhe kjo pasi dyshohet se lënda plasëse mund të ketë qenë në sasi të vogël ose nuk është arritur objektivi.

Paraprakisht ende nuk ka një të dyshuar, teksa nuk dihet nëse bëhet fjalë për një kërcënim, mesazh, apo tentativë arratisje të ndonjë të burgosurit.

Hetimet e policisë, kanë ngritur dyshime paraprake duke hetuar pistën e mundshme të nxitjes së rrëmujës apo kryerjes së një arratisje nga të paraburgosurit.

Aktualisht, grupi hetimor ka mbledhur kamerat e shumta të vendosura në rrethim, për identifikimin e autorit të vendosjes së kësaj lënde plasëse. 

“Krujë/Informacion paraprak. Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale”, njoftoi sot policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë