Nga Gazeta ‘Si’-Një shpërthim i fuqishëm ndodhi rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim në qytetin e Lushnjes.
Si pasojë e shpërthimit humbi jetën drejtuesi i vinçit, 55-vjeçari Landi Hoxha(Verçani) dhe djali i tij 24-vjeçar Elidon Hoxha, i cili ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Vinçi ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen, të cilat do të përdoreshin për saldimin e pjesëve metalike të kapanonit dhe nga kontakti me linjën e tensionit të lartë u shkaktua shpërthimi i fuqishëm.
Mësohet se babë e bir kishin vetëm një muaj që ishin kthyer nga emigracioni, ndërsa e premtja ishte dita e parë e punës në këtë kapanon qe rezultoi fatale për jetën e të dyve.
Gjithashtu janë plagosur 7 shtetas ku mes tyre dhe deputeti Bujar Çela i cili u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Raportohet se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka vetëm një komplikacion në këmbë.
Dy të plagosur të tjerë janë në gjendje kritike dhe gjithashtu kanë mbërritur në spitalin e Traumës.


Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është dëgjuar në të gjithë qytetin madje ka shkaktuar edhe thyerjen e xhamave në disa banesa përreth.

Forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje.
Njoftimi:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, akisdentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur tetë shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




