Ka ndodhur

Shpërthim me tritol në servisin e motorëve në Vlorë, pronari mohon konfliktet

Gazeta Si – Një sasi tritoli ka shpërthyer në një biznes mbrëmjen e të hënës pak para mesnatës në lagjen “Bashkimi” të Vlorës.

Mësohet se objekti ku ka shpërthyer lënda plasëse, ishte një servis motorësh në pronësi të Vasillaq Bezhani dhe për pasojë ka patur vetëm dëme të shkaktuara në dritaren e servisit.

Bezhani ka mohuar të ketë konflikte, ndërsa policia ka shoqëruar 5 persona në komisariat për t’i pyetur lidhur me ngjarjen.

“Kam 30 vite që u shërbej banorëve të Vlorës, që nga biçikletave deri te motorët dhe nuk kam pas asnjë konflikt. Nuk e di pse ma kane bërë këtë dëm”, thotë ai.

Policia ka marrë kamerat e sigurisë së biznesit, por autori mesa duket e ka njohur mirë terrenin dhe zonën pasi lëndën plasëse e ka vendos në dritaren pas godinës së dyqanit ku nuk ka kamera sigurie. 

Policia thotë se po punon për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 23:00, në lagjen “Bashkimi”, në dritaren e një servisi motorësh, në pronësi të shtetasit V. B., ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit/ëve të dyshuar”, thuhet në një njoftim paraprak të Policisë së Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë