Një shpërthim me tritol ka tronditur qytetin e Lushnjës mesnatën e të hënës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:25 në lagjen “Skënder Libohova”, në ambientin në pronësi të shtetasit Arjan Aliço.
Fatmirësisht, nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.
Policia thotë se është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti, ndërsa shpërthimi është ndjerë nga shumë banorë të zonës.
Sipas burimeve, dyqani ku është vendosur lënda plasëse, i përket ish-anëtarit të bandës së Aldo Bares, ndaj të cilit ka pasur edhe më herët sulme me armë zjarri në drejtim të banesës ku jeton.
Arjan Aliço njihet si një nga anëtarët e bandës së Aldo Bares dhe ndodhet aktualisht në burg.
58-vjeçari është i akuzuar për një plagosje të rëndë në vitin 2016 pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, ku në një pikë bastesh, ka qëlluar mbi 10 herë me thikë Julian Sulën.
Aliço, një person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më parë për vrasje dhe si pjesë e një bande kriminale, së bashku me djalin e tij, Xhino Aliço, 24 vjeç, edhe ky i dënuar më parë për “vrasje të mbetur në tentativë”, qëlluan ndaj të riut nga Lushnja, në një pikë bastesh.
Sipas policisë, Julian Sula dhe djali i Arjanit, Xhino Aliço, u përfshinë në një debat për shkak të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës gjatë Evropianit të vitit 2016, ku mori pjesë dhe Shqipëria.
Pas këtij debati për motive banale, babë e bir plagosën rëndë me thikë Sulën, i cili arriti të mbijetojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




