Ka ndodhur

Atentat me tritol makinës në Shkodër, plagoset inspektori i Tatimeve (foto)

Gazeta Si – Një inspektor Tatimesh në Shkodër, Enea Bazukja, mbeti i plagosur në një atentat me tritol, që ishte vendosur pranë makinës së tij.

Ngjarja ndodhi paraditen e kësaj të marte në rrugën “Ndoc Mazi” në një orar ku qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve ka qenë i lartë.

Mësohet se lënda plasëse ka shpërthyer në një motor që ndodhej pranë automjetit të parkuar të punonjësit të Tatimeve, i cili mban detyrën e specialistit të monitorimit në terren.

Sapo 38-vjeçari ka tentuar të hipë në automjetin e tij, ka ndodhur shpërthimi i telekomanduar i motorit që ka shkaktuar dhe plagosjen shënjestrës.

Bazukja ka mbetur i plagosur nga shpërthimi dhe është transportuar në spitalin rajonal ku ka marrë mjekime për plagën në dorë.

“Rreth orës 11:35, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shkodrës.

Ende nuk dihet nëse 38 vjeçari ka pasur ndonjë konflikt me ndonjë person apo është kërcënuar për shkak të detyrës së tij, teksa raportohet se është gjetur e djegur një makinë në Postribë, që dyshohet të jetë e autorit/ëve të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit, ndërsa në vendngjarje ndodhet edhe drejtori i Policisë Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë