Ka ndodhur

Shpërthim me tritol lokalit në Lezhë, pronari i ishte arrestuar në vitin 2017 për kanabis

Gazeta Si – Një sasi tritoli ka shpërthyer gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje në një objekt biznesi në Lezhë.

Sipas policisë, shpërthimi ka ndodhur para derës së një lokali të mbyllur të 47-vjeçarit Ilir Markvukaj. Nuk raportohet për të plagosur, por vetëm dëme të shumta materiale.

Markvukaj rezulton të ketë qenë i arrestuar në 2017-ën së bashku me 2 persona nga Kosova pasi u kapën me 25 kg kanabis gjatë një aksioni antidrogë.

Markvukaj, prej vitesh operon me disa biznese në Lezhë me veprimtari të ndryshme. Nga kamerat e sigurisë, burime bëjnë me dije se shquhet një person që ka vepruar i vetëm për hedhjen e tritolit.

Pamjet e tregojnë atë duke lëvizur në këmbë, por ende nuk është e qartë nëse ka ardhur në vendngjarje me një makinë.

“Rreth orës 03:00, të mëngjesit të sotëm, në qytetin e Lezhës, para derës së lokalit të mbyllur, të shtetasit I. M., 47 vjeç, është hedhur lëndë plasëse dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale”- njoftoi policia, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë