Ka ndodhur

Shpërthim me eksploziv në Shkodër, në shënjestër një agjenci funerale

Gazeta Si - Një shpërthim me eksploziv në Shkodër është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”.

Objektivi dyshohet se ishte një agjenci funerale e cila sapo ishte hapur, teksa nuk u regjistruan viktima apo të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e subjektit që kujdeset për procesionet mortore.

Shpërthimi sipas policisë vendore u dëgjua rreth orës 03:20, kurse agjencia është në pronësi të Flora Firza, e cila gjithashtu po merret në pyetje për dyshimet që ka.

Persona të paidentifikuar dyshohet se janë afruar të maskuar duke vendosur tritolin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Pista e parë e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, teksa Policia ndodhet në vendngjarje për shoqërime, mbledhje provash dhe dëshmish, si dhe ndjekjen dhe kapjen e autorëve të krimit.

"Rreth orës 03:20, në lagjen "Skenderbeg", në derën e një agjencie funerale në pronësi të shtetases F. F., (Flora Firza) është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve", - thuhet në njoftimin zyrtar paraprak të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë