Ka ndodhur

Shpërtheu me tritol hotelin në Sarandë, arrestohet djali i një prej bashkëpronarëve

Gazeta Si - Sotir Çabiri, djali i Spiro Çabirit, një prej bashkëpronarëve të hotel “Bizant”, që u hodh në erë në Sarandë mëngjesin e të hënës, është arrestuar si autori i dyshuar i ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet me dije se 36-vjeçari mëngjesin e djeshëm në lagjen numër 1 në Sarandë, ka vendosur një sasi lënde eksplozive në hotelin që babai i tij, 63-vjeçari Spiro Çabiri kishte në bashkëpronësi me Dhimitër Evangjeliun.

Në polici, Sotiri ka mohuarautorësinë, pasi ka treguar se ishte në ambjentet e hotelit në orën 05:50, sepse kishte harruar një valixhe me rroba.

Spiro Çabiri (majtas) dhe djali i tij i arrestuar nga policia, Sotir Çabiri

Ai ka rrëfyer se pasi ka marrë rrobat është larguar në orët e mëngjesit, pasi ditën e hënë kishin planifikuar të udhëtonin drejt Anglisë, për shkak të blerjes së biletave ditën e dielë.

"Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari kur është pyetur për pamjet e kamerave të sigurisë që e nxirrnin duke dalë nga hoteli pak para ngjarjes.

Në pyetje është marrë dhe Spiro Çabiri, i cila ka deklaruar se kishte humbur pronësinë e hotelit, por se ai është zotërues i tokës që ndodhet buzë bregut të detit.

Shkak për këtë, u bë një proces gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe Evangjeliu, i nisur që në vitin 2002 dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Dhimitër Evangjeliut.

36-vjeçari Sotir Çabiri banues në Sarandë do të përballet me veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë person të dëmtuar.

Policia ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Kështu, sipas hetimeve paraprake, hedhja në erë e hotel "Bizantit" është berë në shenjë hakmarje, pasi familja Çabiri humbi pronësinë e hotelit në gjykatë përballë shetasit grek, Dhimitraq Evangjeliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë