Një efektive e Forcave të Armatosura shqiptare ka humbur jetën në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine. Bëhet fjalë për efektiven Zarife Hasanaj, 27 vjeç. Nga shpërthimi i minës kanë mbetur të plagosur edhe dy efektivë të tjerë, gjithashtu pjesë të Forcave të Armatosura, Major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.
Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake. Hetimet kanë nisur dhe pritet që ekspertiza të zbardhë shkakun e tragjedisë që i mori jetën 27-vjeçares dhe plagosi dy efektivët e tjerë të Forcave të Armatosura.
Ministrja Olta Xhaçka do të udhëtojë pasditen e kësaj të hëne në drejtim të Letonisë, ndërkohë që trupi i ushtarakes pritet që të mbërrijë në Shqipëri ditën e enjte, ku është përcaktuar edhe një ceremoni shtetërore varrimi.
Me origjinë nga Tropoja dhe me banim në Babrru, 27-vjeçarja Zarife Hasanaj ishte pjesë e trupave xheniere të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Misionin në Letoni, ajo së bashku me një grup prej 7 ushtarakësh të tjerë të FA e nisën në janar të këtij viti në kuadër të një misioni të NATO-s. Misioni ishte 6-mujor dhe ai përmbyllej në muajin qershor. Ky ishte misioni i parë jashtë vendit, që tragjikisht u shndërrua edhe i fundit.
Ndërkohë, në një konference për mediat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Bardhyl Kollçaku nuk ka dhënë shumë detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Letoni. Tragjedia është objekt hetimi nga vetë NATO dhe në vazhdim pritet të përcaktohet saktë shkaku i saj.
Ai në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka shprehur ngushëllimet e thella për familjen e viktimës. Ai gjithashtu ka siguruar të gjithë familjarët e efektivëve në Letoni se po ndiqet me vëmendje maksimale ngjarja që ka ndodhur.
“Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”, shprehet ndër të tjera ai.
Ngushëllimet për familjarët e efektives shprehu edhe Kryeministri Edi Rama.
“Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë!Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ngushëllime për ngjarjen tragjike shprehu edhe Presidenti Ilir Meta.
“Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni. Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj”, thuhet në mesazhin e shkurtër të shpërndarë nga Presidenca.
Në mesazhin e saj ngushëllues, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaccka premton se shteti do t’i qëndrojë pranë familjes në këto momente të vëshitra.
“Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian TANUSHI dhe rreshter Julian KAPAJ, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura”, shkruan ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


