Ka ndodhur

Shpërthimi me tritol i merr jetën 55-vjeçarit në Shkodër? Policia dhe OSHEE me qëndrime të ndryshme

Gazeta Si – Një shpërthim i dyshuar me tritol i ka marrë jetën Hysni Ymerit, 55 vjeç, mëngjesin e kësaj të hëne në hyrjen e pallatit ku ai banonte në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në rrethana të paqarta rreth orës 10:10, ndërsa autoritetet japin shpjegime të ndryshme për shkakun e shpërthimit.

Policia njoftoi fillimisht se dyshohet që shpërthimi ka ndodhur në panelin e matësave të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ka përjashtuar këtë mundësi.

Në një deklaratë zyrtare, OSHEE thekson se, sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave të energjisë në pallat.

“Në lidhje me ngjarjen në Shkodër, sipas informacioneve paraprake, informojmë se shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave në pallat”, – thotë njoftimi i OSHEE.

Por sipas burimeve paraprake, Gazetasi.al mëson se dyshohet për një shpërthim me tritol. Deri më tani, dyshimet janë se shpërthimi i fuqishëm me lëndë plasëse mund të ketë qenë një atentat i planifikuar, por ende nuk ka informacione se kush mund të ketë qenë shënjestër.

Njësia anti-eksploziv e nisur nga Tirana do të caktojë dhe llojin e lëndës plasëse nëse rezulton zyrtarisht e tillë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkakun e shpërthimit, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një konkluzion përfundimtar mbi ngjarjen tragjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë