Nga Gazeta 'Si'-Logoja me të cilën do të festohet 25-vjetori i çlirimit të Kosovës e cila u prezantua dje nga kryeministri Albin Kurti, po kritikohet zëshëm.
Ajo po konsiderohet e kopjuar dhe po thuhet se përfaqëson frymën e diversitetit etnik e kulturor të Kosovës. Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se logoja është mono-etnike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se Kosova ka edhe komunitete të tjera.
“Çka po ju duket logo e 25 vjetorit? Ndoshta është pak mono-etnik, për realitetin që kemi. Gjithashtu nuk duket që e përfaqëson frymën e diversitetit në Kosovë. Diversiteti kulturor dhe etnik është një ndër përparësitë më të mëdha që një vend mund të i ketë. Ne kemi edhe komunitete të tjera, përpos shqiptarëve, dhe ato janë pasuri e jona dhe vlerë e shtuar për shtetin e ri”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka bërë me dije se 12 Qershori është festë edhe e komuniteteve tjera në Kosovë.
“Kjo është festë e jona e përbashkët e jo vetëm e ne shqiptarëve të cilët tash kemi përgjegjësi më të mëdha. Nëse ne i përjashtojmë kulturat dhe komunitetet tjera ne indirekt po e ndajmë Kosovën, po e fragmentojmë.. duhet të jemi të kujdesshëm. Nacionalizmi nuk është as e ardhmja as fuqia jonë, individi dhe gjithpërfshirja po. Por ky nuk është fundi i botës, është vetëm art. Kemi shumë vite tjera ku mundemi me qenë më gjithëpërfshirës, më të pasur”, ka shkruar Muharremi.
Edhe më i ashpër në kritikë ka qenë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, i cili në fillim të kësaj legjislature ka qenë pjesë e Grupit Parlament të VV-së.
Ai ka thënë se logoja e 25-vejtorit të çlirimit është e kopjuar nga një restorant në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abazi ka shkruar se logoja është marrë nga muri i restaurantit “Bukë e Zemër”, pronar i të cilit është Ridvan Muharremi, i dyshuar për korrupsion dhe njeri i afër i kryeministrit Kurti.
“Kreativitet i limituar! Kjo logo për 25 Vjetorin është e kopjuar nga muri dhe motivet e restaurantit “Bukë e Zemër”! A thua kush është kopjuesi dhe pse pikërisht kjo… Kryeministri nuk ka lejuar që të formohet komisioni parlamentar hetimor për rastin e rezervave shtetërore”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti bëri me dije se në këtë logo gërshetohen motivet dhe ngjyrat që gjenden në veshjet tradicionale.
Sipas tij, aty shihet pëllumbi i bardhë që simbolizon paqen dhe lirinë.
“25-vjetori i çlirimit të Kosovës. Frymëzuar nga historia dhe kultura, motivet e ngjyrat që i gjejmë të qëndisura në veshjet tradicionale e të thurura në artizanatet tona, na vijnë të rifreskuara me dizajn modern. Aty shohim profilin e pëllumbit të bardhë që simbolizon paqen e lirinë, si dhe simbolin e shqiponjës dykrenare e vigjilente, që është e ngulitur thellë në historinë e identitetin tonë kombëtar”, shkroi Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.