Futboll

‘Shpërthejnë’ demat, Partizani 5 blerje dhe dy rinovime për 24 orë

Janë zgjuar më në fund kampionët në merkaton e verës. Kur kanë mbetur shumë pak ditë nga ndeshja e parë eliminatore në Ligën e Kampionëve kundër azerëve te Karabak, Partizani ka zyrtarizuar pesë blerje në të gjitha repartet. 3 sulmues, 1 mesfushor dhe 1 portier kanë qenë afrimet e prezantuara nga Partizani ditën e djeshme. Por edhe 2 rinovime të rëndësishme në repartin e mbrojtës janë prezantuar ditën e djeshme nga kampionët e Shqipërisë.

Në sulm Partizani afroi dje vëllain e Kaleb Ekuban, Jozef Ekuban, dhe dy xhamajkanët, Brajan Braun e Teofilus Solomon. Të tre këta do të mbajnë përsipër peshën e sulmit të Partizanit dhe nuk pritet që të ketë afrime të tjera në këtë repart. Ekuban ka ardhur në formë huazimi me të drejtë blerje, ndërsa Braun dhe Solomon kanë firmosur kontratat me afat 1-vjeccar. Prova e parë e sulmit të ri të Partizanit do të jenë kupat e Europës. Në varësi të ecurisë në verë do të shikohet nëse do të ketë nevojë për të ndërhyrë sërish.

Por edhe në mesfushë ka ndërhyrë klubi i kuq. Pas largimit të Ardit Hilës, është zyrtarizuar zëvendësuesi i tij menjëherë. Bëhet fjalë për venezuelasin Aristoteles Romero që vjen nga kampionati italian, ku më herët ka qenë pjesë e Krotones. Ai ka një eksperiencë të vyer në futbollin italian dhe disa sezone ka luajtur në Serinë B dhe besohet që të jetë një vlerë e shtuar për ekipin e kuq. Bashkë me Telushin ai besohet të formojë qendrën e mesfushës dhe për shkak të ngjashmërisë në pamje me Arturo Vidal ka entuziazmuar tifozët.

Sakaq për mbrojtjen ende mungojnë afrimet e rëndësishme, por Partizani është kujdesur që të rinovojë kontratat me dy futbollistë të rëndësishëm të sezonit të shkuar, përkatësisht me Belicën dhe Ibrahimin. Të dy parashikohen në role titullari edhe për Partizanin e ri të Franko Lerdës. Sakaq për portën është bërë një goditje për atë që do të dublojë Alban Hoxhën. Nga Korça ka ardhur Aldo Teqja, që firmosi për 2 vite dhe do të zëvendësojë Xhikën që ka zgjedhur të largohet nga 16 herë kampionët e Shqipërisë.

Me këto pesë blerje të djeshme, shkon në 8, pasi më herët ishin afruar, Esin Hakaj, Uilliam Kordeiro dhe Rron Broja. Mbetet për tu parë nëse do të ketë sërish ndërhyrje në merkato për të kuqtë edhe në javët në vazhdim të merkatos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë