Nga Gazeta ‘Si’-Shefja e grupit parlamentar të VetëVendosjes Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e parë do të jetë të enjten ku do të jetë vazhdimi i seancës që mbeti në gjysmë. Kurse, të premten do të ketë debat për 3 vjet qeverisje të Vetëvendosjes.
Kusari-Lila ka deklaruar se nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit. Debati për 3 vjet qeverisje sipas saj, parashikon rrëzimin e qeverisë, por që ajo tha se VV-ja nuk e mbështet.
“Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit nuk ka, është vetëm kërkesa për 3 vjet qeverisje. Propozimi i AAK-së me të cilën kanë propozuar rrëzimin e qeverisë, dhe ne nuk e mbështesim”, tha ajo.
Shefja e deputetëve të VV-së ka thënë se nuk do të ketë shpërndarje të Kuvendit pa pasur unifikim të opozitës në këtë temë.
“Ne jemi deklaruar. Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga zgjedhjet apo rikonfimimi i mandatit, por nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm njërin grup parlamentar të opozitës. Ne konsiderojmë se kjo qeveri ka plotësuar kushtet për mandat të plotë qeveritar dhe legjislastiv”, tha Kusari-Lila.
Ajo theksoi se nuk ka mundësi të ketë shpërndarje të Kuvendit, me vetëm një parti të opozitës.
“Në raport edhe me kërkesën apo edhe përgjegjësinë që ne kemi, nuk ka balancë. Por nëse kemi opozitë të bashkuar që kërkon shpërbërjen e Kuvendit, e trajtojmë edhe deklarohemi për datën e përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit”, theksoi Mimoza Kusari-Lila.
Kërkesa për shpërndarje të Kuvendit doli nga darka mes Memli Krasniqit e Albin Kurtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




