Ka ndodhur

Sekuestrohen 10 kg kanabis në Malësi të Madhe, në Himarë kapen shitësit e kokainës

Një 23-vjeçare në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe, është arrestuar nga policia gjatë një aksioni anti-drogë pasi në banesën e saj u sekuestrua një sasi lënde narkotike.

E arrestuara është E.M., ndërsa në kërkim janë shpallur edhe familjarët e saj; M.Th. 59 vjeç; D.Th. 51 vjeç; E.Th. 24 vjeç; D.Th. 20 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe sekuestruan 10 kg kanabis dhe një armë zjarri tip pistoletë, ndërsa në një territor të pyllëzuar pranë banesës së 23-vjeçares janë konstatuar të kultivuara bimë kanabis.

Bashkë me vajzën është arrestuar edhe një 15-vjeçar me iniciale F.P., ndërsa në kërkim është shpallur babai i tij, M.P. 48 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e 15-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 200 gramë kanabis. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 15-vjeçari ishte bashkëpunëtor i shtetasve të shpallur në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Droga e kapur në Himarë

Ndërkohë, në Himarë, dy persona kanë rënë në pranga, pasi janë kapur duke shpërndarë lëndë narkotike kokainë dhe kanabis. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Ingrid Jaçe, banues në Tiranë dhe 23-vjeçarin Dino Xhelili banues në Orikum.

Arrestimi i tyre u bë pasi, dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u konstatuan duke i shitur lëndë narkotike, 20-vjeçarit Enio Hajdini, i cili do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj dy të arrestuarve, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, 1 aparat celular dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë