Katër persona janë arrestuar nga policia në Durrës në kuadër të operacionit “Taksisti”. Në pranga janë vënë Erges Shehi, 30 vjeç, Vilson Memini, 29 vjeç (i dënuar me parë për korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se Memini ka qenë më parë i proceduar edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë që Shehi ka precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve si dhe ka qenë i akuzuar për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje” ndaj Fation Taipit.
Sipas policisë, një prej tyre, A.Gj. ka shkuar në zonën e plazhit me automjetin e tij taksi së bashku me të arrestuarin tjetër A.B., për të blerë lëndën narkotike që posedohej nga Shehi dhe Memini. Në momentin kur kanë konstatuar policinë, ata kanë tentuar të largohen, por janë kapur gjatë ndjekjes.
Mësohet se poseduesit e lëndës narkotike janë vënë në pranga pasditen e djeshme, ndërsa dy “klientët” që janë larguar me taksi janë arrestuar në orët e natës.
Pas arrestimit, policia u ka sekuestruar edhe lëndën narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë, automjetin taksi dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




