Gazeta Si – Katër persona, mes të cilëve dhe një vajzë 21-vjeçare, u arrestuan nga policia e Himarës, pasi të armatosur shpërndanin në plazhin e Gjipesë lëndë narkotike për turistët.
Policia njoftoi se E.Gj., 37 vjeç, banues në Fier; M.Dh., 41 vjeç banues në Vuno; G.B., 28 vjeç banues në Tiranë; dhe M.Z., 21 vjeç banuese në Tiranë, funksiononin në formën e një grupi kriminal. Gjatë aksionit atyre iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri gjysëm automatike me një krehër, 256 fishekë luftarakë, rreth 600 doza lëndë narkotike, 2 peshore elektronike, radio marrëse-dhënëse si të policisë, thikë, 2 aparate celular dhe një automjet të llojit fuoristradë të markës “Toyota”.
Të katër shtetasit e vënë në pranga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike tek pushuesit dhe turistët, që frekuentonin gjirin e Gjipesë.
Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




