Gazeta Si – Një rrjet i organizuar i trafikut të drogës i drejtuar nga shtetas shqiptarë, u godit nga policia franceze në rajonin Pays de Gex, pranë kufirit me Zvicrën.
Siç raportojnë mediat franceze, operacioni, që u zhvillua në fillim të shkurtit dhe përfshiu më shumë se 80 xhandarë, u finalizua me arrestimin e tetë të rinjve, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shqiptarë, të cilët u vendosën në paraburgim të përkohshëm.
Prokurorja Karine Malara, thotë se grupi i të rinjve përdorin një model transporti të tipit “Uber”, një rrjet taksish, që konsistonte në kryerjen e dërgesave shtatë ditë në javë të drogës (kokainë dhe heroinë) të porositur “përmes rrjeteve sociale”, nga një “rrjet shumë i organizuar” brenda “komunitetit shqiptar”.
Për të fshehur lëvizjet e tyre të përditshme, grupi përdorte “shumë automjete të cilat ndërroheshin vazhdimisht”, – raportojnë mediat franceze.
Hetimet kishin nisur në fund të vitit 2025, pasi xhandarmëria zbuloi një strukturë të organizuar magazinimi dhe transporti droge.
Më 4 shkurt, forcat e rendit ndërhynë njëkohësisht në disa lokacione, duke angazhuar njësi speciale ndërhyrjeje, ekipe me qen nuhatës dhe dhjetëra hetues.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3.8 kilogramë heroinë, mbi 3 kilogramë kokainë, 46 kilogramë substanca për përzierje të drogës, 12 automjete, dy armë zjarri, si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro dhe franga zvicerane. Autoritetet vlerësojnë se fitimi i përgjithshëm nga aktiviteti kriminal arrinte në rreth 1 milion euro.
Tetë persona, të moshës 22 deri në 32 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim. Ata janë vënë nën akuzë për transport, posedim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas autoriteteve franceze, të dyshuarit nuk kishin precedentë penalë të njohur më parë në Francë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



