Ka ndodhur

Shpërdorim detyre, kontrabandë dhe falsifikim/ AMP arreston Shefin e Krimeve në Gjirokastër dhe 4 punonjës të tjerë, një në kërkim (Emrat)

Nga Gazeta 'Si'- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës ka vënë në pranga Shefin e Sektorit të Krimit të Organizuar Alfred Kondi.

Sipas AMP, gjatë operacionit është arrestuar dhe një tjetër punonjës policie, një doganier, 2 shtetas të tjerë, teksa një efektiv është shpallur në kërkim.

Kryekomisari Kondi së bashku me nënkomisarin Xhevit Dine dhe efektivin e shpallur në kërkim Feim Onjea akuzohen për shpërdorim detyre dhe “shpërdorim i autoritetit policor”, vepra këto të kryera në bashkëpunim.

Ndërsa doganieri Bledar Mustafaraj dyshohet për “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Të arrestuarit e tjerë janë Ilir Muho dhe Kleodor Kazo, të cilët akuzohen për kontrabandë dhe falsifikim të vulave.

"Nga hetimet u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprën penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimin e shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojërave të fatit.

Gjithashtu u provua se punonjësit e policisë duke shfrytëzuar funksionin në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme nga shtetas të ndryshëm. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet tip ML dhe katër aparate celularë", thuhet në njoftimin e AMP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë