Ngjarje

Shpërdorim detyre dhe përfitime personale, arrestohet ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut

Nga Gazeta ‘SI’- Nikoll Deda, ish-presidenti i Urdhrit të Stomatologut, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi ndaj tij rëndojnë tre akuza penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Sipas Prokurorisë, masa e sigurisë “arrest në burg” është caktuar për shkak të rrezikut të largimit të Dedës dhe mundësisë për të ndikuar në provat hetimore. Hetimet janë nisur pas një kallëzimi nga shtetasi A.G., i cili e akuzon Dedën për shpërdorim fondesh gjatë drejtimit të institucionit.

Gjatë periudhës që Deda drejtonte Urdhrin e Stomatologut, buxheti i institucionit është rritur ndjeshëm – nga 38.5 milionë lekë në vitin 2020, në mbi 125 milionë lekë në 2022 – përfshirë edhe blerjen dhe investimin në një godinë të re. Prokuroria dyshon se kjo rritje ka shërbyer për përfitime personale ose për persona të tretë.

Gjithashtu, Deda akuzohet se ka punësuar persona pa kriter, përfshirë familjarë të tij, me qëllim ndikimin në vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Urdhrit që prej vitit 2016.

Ai rezulton të jetë shmangur më herët nga hetimet, ndërsa ndaj tij është në vijim edhe një tjetër proces gjyqësor për “moszbatim të vendimit të gjykatës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë