Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2023, shpenzimet mujore të një familje shqiptare u rritën me 3.7% nga viti 2022.
Sipas INSTAT, një familje mesatare me 3.7 persona shpenzon 91.675 lekë në muaj, në total 68.4 mld lekë në muaj. Pjesa më e madhe e këtyre parave, 39.6% shkon për produktet ushqimore dhe pijeve joalkoolike. Nga shpenzimet për ushqimin, mishi dhe nënproduktet zënë 18.5% të këtij buxheti dhe buka 16.5%. Grupi i dytë me peshën më të madhe është ai i kostove të banesës, ujit, energjisë elektrike dhe qirasë, me vlerë 8.904 lekë apo sa 9.7% të totalit.
Grupi “restorante dhe hotele”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6.755 lekë, zë 7,4 % të buxhetit gjithsej.
Por rritja më e fortë e shpenzimeve për një familje shqiptare është ajo për “të tjera mallra dhe shërbime”, me 6.2%, ku INSTAT përfshin trajtimet estetike, shërbimet parukier dhe shpenzimet për higjienë.
Shpenzimet për “pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 5.6 %, krahasuar me vitin 2022, kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve për “pije alkoolike” me rreth 8%. Shpenzimet për “mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të banesës” u rritën me 5,1 %, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje erdhi nga shpenzimet më të larta për “shërbime periodike” (pastrues, kopshtar, etj.), “blerje pajisjesh për gatim” dhe “riparime të ndryshme në familje”.
Sipas qarqeve, një familje në Tiranë shpenzo më shumë për konsum, 108.098 lekë në muaj, ndjekur nga Korça me 91.034 lekë, Durrësi dhe 89.561 lekë. Qarqet me shpenzimet mesatare më të ulëta mujore për konsum janë Kukësi me 73.225 lekë dhe Dibra dhe 74.479 lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.