Para

Shpenzimet e bankave për interesa arritën nivelin më të ulët të dekadës

Shpenzimet e bankave për interesa kanë arritur nivelin më të ulët të dekadës së fundit në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të BSH, shpenzimet kanë rënë me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe kishin vlerën e 1.76 miliardë lekëve.

Kjo tendencë rënieje është e lidhur në radhë të parë me ciklin e normave të ulëta të interesit, që i ka ulur edhe interesat e depozitave në nivelet më të ulëta historike.

Sipas BSH, në fund të muajit mars interesi mesatar i depozitave dhe llogarive të individëve në lekë ishte 0.2%, ndërsa në euro 0.03%.

Individët po shfaqen gjithnjë e më të prirur t’i mbajnë paratë në llogari të hapura, si llogari rrjedhëse apo depozita pa afat. 

Në fund të muajit mars, llogaritë dhe depozitat pa afat përbënin më shumë se 60% të depozitave, nga 55% që përbënin një vit më parë.

Në shumicë, shqiptarët vazhdojnë të preferojnë bankat për të mbajtur kursimet e tyre, por rënia e ndjeshme e depozitave me afat në fakt përfaqëson një ndryshim domethënës nga forma më tradicionale e kursimit.

Raporti mes kredive dhe depozitave të sektorit bankar është më pak se 47%. Pjesa e mbetur e depozitave është e investuar kryesisht në instrumente financiare likuide.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë