Sali Berisha tha përmes një deklarate të zgjeruar për mediat (më shumë se një orë) se raporti i hollësishëm që i është dorëzuar për shpalljen ‘non grata’ nga Britania e Madhe nuk është i bazuar në një hetim të mirëfilltë apo prova fakte dhe dokumente. Berisha tregoi edhe rrugën ligjore që do të ndjekë.
“Sipas ligjeve britanike, përpara se të shkoja në gjykatë dhe të paraqitja padinë time për shpifje, duhet të paraqisja një kërkesë me shkrim në komisionin administrativ, që funksionon mbi parimet e një gjykate.
Ky komision ua ka dorëzuar avokatëve të mi, faktet, burimet dhe provat mbi të cilat është bazuar vendimi.
Prandaj unë në këtë raport kam paraqitur të gjitha këto dokumente. Këtë raport do e quaj raportin e transparencës.
Për fat të keq nuk mund ta bëj këtë për vendimin e DASH, pasi dy vite pasi është marrë ky vendim, DASH nuk ka paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument, përfshi këtu kongresmenë amerikanë dhe media të rëndësishme të SHBA.
Në faqen e këtij raporti paraqiten të gjitha të vërtetat. Nga errësira vjen dritë. Korrupsioni transnacional del në dritë me fakte tronditëse për shkallën dhe nivelin e korrupsionit që qëndron pas këtij vendimi.
Qëllimi i këtij raporti nuk është pafajësia ime, pasi këtë pafajësi e ka provuar periudha dyvjeçare, gjatë së cilës kryediplomati i botës nuk nxori asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo nuk ndodhi sepse po e kursejnë Sali Berishën, por sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë vendim.
Sfida ime është e hapur: paraqisni një provë të vetme dhe unë largohem nga politika”, tha Berisha.
Berisha akuzoi sërish Gerge Soros që fshihet pas vendimit të tij për shpalljen non grata sa kohe që ai solli si argumente se vendimi ndaj tij ëhstë marrë bazuar mbi artikuj që financohen nga Soros
“Krahas betejës gjyqësore, do zhvilloj një fushatë mediatike ndërkombëtare, duke përdorur të vërtetën e këtij raporti.
Dokumentet e Home Office tregojnë tre burime. Burimi i parë është Fondacioni Shoqëria e Hapur e Sorosit. Burimi i dytë, mediat si BIRN, Balkan Insight, me sponsor super-spekulantin e botës, Soros. Burimi i tretë dhe i fundit janë akuzat e kundërshtarëve të mi politikë, Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha.


Akuzat për lidhjet e mia me krimin e organizuar, që rrezikojnë sigurinë e Britanisë së Madhe. Sot është fillimjave, ndaj le t’i përcjellim me humor. Le të ndalem të fjalët që ka pranuar shprehimisht Home Office, të cilat të shastistin. Këto lidhje vijnë nga burime pa prova.Por Home Office thotë se këto pranohen nga rasti i Fatjon Dautit, një njeri që nuk e kam takuar kurrë dhe nuk e njoh. Pak më vonë Home Office shprehet se nuk ka qenë në gjendje të provojë se Berisha ka lidhje me Dautin. Janë të pabesueshme, por janë reale.
Sa për dijeni, Fatjon Dauti është një mbështetës i PD dhe më shumë se mbështetës i Lulzim Bashës. Unë nuk e kam takuar kurrë.
Rasti i dytë, Damir Fazlliç. Sipas Home Office, e kam mbrojtur kur kanë dalë fakte për inkriminimin e tij. Burimet janë BIRN, Balkan Insight, Reporter.al të superspekulantit Soros. Fazlliç nuk ka qenë kurrë i inkriminuar në Shqipëri, SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ndaj tij në Shqipëri nuk kanë dalë kurrë prova të veprimtarisë inkriminuese gjatë kohës që kam qenë kryeministër apo më vonë.
Pas një hetimi të nisur nga Ina Rama, u gjet se Fazlliç nuk kishte shkelur asnjë ligj. Në një moment, kur po shkonte në aeroport, prokuroria kërkon arrestimin e tij pa lëshuar një urdhër-arrest. Asnjë shtetas nuk mund të arrestohet pa urdhër. Kur prokuroria i kërkoi paraqitjen, ai erdhi dhe prokuroria konkludoi se ai nuk kishte shkelur asnjë ligj.
E treta, lidhja ime me bandat e Elbasanit. Burimi, Lulzim Basha. Edhe në këtë rast, ambasadori King-Smith ka përcjellë një shpifje të ish-kryetarit të PD. Ai në nëntor 2022 deklaroi se Berisha po mbledh firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës. Unë iu përgjigja, por korrupsioni të bën të vuash nga humbja e memories.
Berisha ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, miq të ambasadorit, më shumë se të gjithë politikanët shqiptarë së bashku.
Ambasadori britanik mjafton të kishte hapur dosjet e qeverisë së tij dhe do të kuptonte se çfarë marrëzie ka shkruar. Do të duhej të lexonte dosjen e bashkëpunimit të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve gjatë qeverisjes së PD, një bashkëpunim i vlerësuar lart”, tha ndër të tjera Berisha duke njoftuar se hapi tjetër do të jetë padia për shpifje ndaj ambasadorit aktual të britanisë, Alastair King Smith, i cili sipas tij është një nga dy firmëtarët e hartimit të këtij raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.