Drejtësia

Shpallen fajtorë 9 persona në Tiranë për ndërtim të paligjshëm, u konfiskohen dhe 7 vila

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka shpallur 9 persona për akuzën e ndërtimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve në zonën e Mulletit.

Ata janë: Armand Prelezi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha, Dorina Dushku dhe Arblin Harizi.

Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Tiranës thotë se personat në fjalë kanë ndërtuar pa leje dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara 7 vila në zonën e Mulletit. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata po ashtu vendosi konfiskimin e këtyre 7 vilave.

Dy prej të pandehurve të dënuar nga Gjykata e Tiranës janë arkitektë, kurse 7 të tjerët banorë dhe ndërtues apo përfitues të këtyre objekteve në mënyrë të paligjshme.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtorë nëntë persona për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’ kuadër të procedimit penal nr.1285 të vitit 2023, nga ana e organit të prokurorisë u kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe në përfundim u konkludua se janë konsumuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë. Në përfundim të gjykimit, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë