Gazeta Si – Marrin formë sot grupet e Euro 2024. Në Hamburg, në orën 18:00 hidhet shorti dhe gjithë shqiptarët do të jenë me sytë aty, sepse në këtë event merr pjesë edhe Shqipëria. Për herë të dytë në histori kuqezinjtë janë kualifikuar për fazën finale të një Europiani.
Dhe në Gjermani 2024 kemi shkuar si vendi i parë i grupit në kualifikuese, çka na e rrit prestigjin dhe në pozicionon në vazon e dytë të shortit të sotëm. Nuk është një favor, po të kemi parasysh si janë ndarë vazot e tjera, por Shqipëria vjen në këtë kompeticion si një emër i rëndësishëm i futbollit europian.
Ndarja e vazove
Para shortit skuadrat vendosen në një nga 4 vazot, në bazë të rezultateve të arritura në fazën kualifikuese. Gjermania, si vend organizator, nuk bën pjesë në short, ajo kalon automatikisht në Grupin A. Janë përcaktuar tashmë 21 skuadra pjesëmarrëse, ndërsa 3 të fundit që caktohen nga play-off-i do të jenë në vazon e 4-t. Emri i tyre do të shtohet pastaj në mars 2024.
Përveç Gjermanisë, nga skuadrat big të kompeticionit Shqipëria mund të ketë në grup një mes Francës, Portugalisë, Anglisë, Spanjës dhe Belgjikës. Nuk mund të ketë grup skuadra si Hungaria, Turqia, Danimarka, Rumania dhe Austria, sepse janë në të njëjtën vazo. Nga dy vazot e tjera ndërkohë mund të vijnë emra të mëdhenj, si Holanda, Italia, Kroacia e ndonjë tjetër.
Vazo 1: Gjermani (vendi organizator), Portugali, Francë, Spanjë, Belgjikë, Angli
Vazo 2: Hungari, Turqi, Danimarkë, SHQIPËRI, Rumani, Austri
Vazo 3: Holandë, Skoci, Slloveni, Sllovaki, Çeki, Kroaci
Vazo 4: Itali, Serbi, Zvicër, fituesit e play-off-it A, B dhe C
Play-off-i
Për të plotësuar 24 skuadrat pjesëmarrëse do të ketë një fazë play-off-i. Janë 12 skuadra që luajnë për 3 vende, të ndara në A, B dhe C.
Ndarja A
Poloni-Estoni (fituesi luan finalen në fushën e tij)
Uells-Finlandë
Ndarja B
Izrael-Islandë
Bosnnjë-Ukrainë (fituesi luan finalen në fushën e tij)
Ndarja C
Gjeorgji-Luksemburg (fituesi luan finalen në fushën e tij)
Greqi-Kazakistan
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.