Gazeta Si – Në Nion të Zvicrës është hedhur sot shorti për turin e parë eliminator të Kupave të Europës. Partizani, ekipi kampion i Shqipërisë, do të ndeshet në turin e pare të Championsit me kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisov. Ndeshjet e para luhen më 11-12 korrik, ato të kthimit pas një jave.
Një short i pranueshëm për skuadrën e drejtuar nga trajneri Zoran Zekiç, po të kemi parasysh faktin se në vazon e kundërshtarëve ishin edhe kundërshtarë si, Sherif Tiraspol i Moldavisë, Astana i Kazakistanit, Makabi Haifa i Izraelit dhe Zrinjski Mostar i Bosnjë Herzegovinës.

Me Bate Borisov po në Champions është ndeshur disa vite më parë Skënderbeu. Bjellorusët u kualifikuan pas dy barazimesh, 1-1 në Korçë dhe 0-0 në Minsk. Ishte ende koha kur vlente rregulli i golit në fushë kundërshtare.
Në Champions marrin pjesë edhe dy skuadra të tjera shqiptare, Ballkani dhe Struga. Kampionët e Kosovës, të drejtuar nga Ilir Daja, ndeshen me Ludogorets, kampionët e Bullgarisë. Më me fat ishte Struga e trajnerit Shpëtim Duro, që luan me Zalgiris të Lituanisë.
Liga e Konferencës
Kundërshtarët e tyre europianë kanë mësuar sot edhe tri skuadra të tjerë shqiptare, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, që marrin pjesë në Ligën e Konferencës. Tirana përballet me gjeorgjianët Dinamo Batumi. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Shqipëri më 13 korrik, kthimit pas një jave . Një short relativisht i lehtë për bardheblutë, të cilët po bëjnë bujë në merkato me afrime cilësore.

Shorti e ka vendosur Vllazninë përballë Liendefild të Irlandës së Veriut, kurse Egnatia, e cila merr pjesë për herë të parë në Kupat e Europës, do të luajë ndaj Ararat të Armenisë.
Në Ligën e Konferencës marrin pjesë edhe skuadra të tjera shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Shkëndija e Tetovës përballet në raundin e parë me uellsianët e Haverforduest CKauntri, ndërsa Shkupi do të luajë ndaj lituanezëve të Hagelman. Për Gjilanin shorti rezervoi një kundërshtar të lehtë, Progres Niederkorn të Luksemburgut, ashtu si dhe për Dukagjinin, që luan me Europa FC të Gjibraltarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




