Gazeta Si – Kuqezinjtë rrezikojnë shumë të kenë një grup shumë të vështirë në Euro 2024. Vendos gjithçka shorti i 2 dhjetorit, por është e pashmangshme që kundërshtarët të jenë thuajse të gjithë emra të mëdhenj të futbollit europian.
Sepse e tillë është ndarja e vazove, që teksa i sheh të duket shumë e çuditshme. Me Kroacinë të kualifikuarën e fundit direkt janë kompletuar 3 vazot e para, kanë mbetur edhe 3 vende bosh në vazon e 4-t, që do të përcaktohen nga ‘Play-off’-i.
Shqipëria bën pjesë në Vazon 2, por po në këtë vazo bëjnë pjesë edhe ato skuadra, që në letër të paktën mund të konsiderohen të kalueshme nga Silvinjo dhe djemtë e tij. Në këtë vazo janë edhe Danimarka, Rumania, Hungaria, Austria dhe Turqia, që do të thotë se asnjë prej tyre nuk do të jetë në grup me kuqezinjtë.
Përveç njërës prej superfuqive të futbollit europian, që bëjnë pjesë në Vazon 1, Shqipëria mund të ketë të tjera skuadra të mëdha në grup, që vijnë nga vazot 3 dhe 4. Konkretisht, nga Vazo 1 kuqezinjtë do të kenë në grup një mes Anglisë, Gjermanisë, Spanjës, Francës, Portugalisë dhe Belgjikës.
Në Vazon 3 ndërkohë janë skuadra si Holanda, Kroacia, apo edhe Çekia, që e kishin në grup në kualifikuese. Po ashtu, nga Vazo 4 mund të na vijnë në grup emra, si Italia, Serbia dhe Zvicra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.