Nga Gazeta ‘SI’ – Shoqatat e biznesit në Shqipëri u shprehën se janë pro Amnistisë Fiskale dhe se ajo duhet të implementohet sa më parë, por të jetë e studiuar.
Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Industrisë, u shpreh se amnistia do të ishte mbështetje pozitive për ekonominë e vendit dhe subjektet tregtare. Sipas tij, ndonëse bizneset do të dekurajohen, është më mirë të pranohet kjo se sa të konkurrohen nga biznese të pandershme.
“Qeveria duhet të mendojë për mirëqenien e qytetarëve dhe bizneseve të vet, e jo opinionet e të huajve”, – shtoi Jaka.
Në një qasje më kritike për zgjatjen e procesit të konsultimit, ai ripërmendi dhe amnistinë e mëhershme në vend, që sipas tij, u përdor për interesa politike dhe jo të biznesit.
“Ne nuk jemi konsultuar me grupet e interesit për këtë dhe si atëherë, e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Në projektligj nuk ka asnjë instrument që parandalon aktivitetin informal të amnistisë. Nëse kjo nuk ndryshon, është thjeshtë qoka e radhës. Ky ligj duhet të gjejë instrumentat e duhur që sipërmarrja informale të humbasë çdo shpresë për të vijuar në informalitet”, – u shpreh kreu i DHTI, Jaka.
Në fjalën e tij, Alban Zusi, kreu i Shoqatës së Eksporteve, tha se qeveria duhet të ndryshojë patjetër strategjinë e saj për ekonominë, duke ulur barrën fiskale ose duke e rishpërndarë.
“Fiskalizimi dështoi të formalizonte qeverinë. Nëse nuk ka masa, do të dështojmë edhe me amnistinë”, tha Zusi.
Shoqatat, i drejtuan 14 kërkesa qeverisë lidhur me ndryshimet fiskale dhe buxhetin 2023, me fokus në lehtësimin e kësaj barre për bizneset në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.