Shoqatat e biznesit në Shqipëri në një deklaratë të përbashkët kanë kundërshtuar daljen në treg të lirë të energjisë të bizneseve që do të sjellë rritje zinxhir të kostot për ta dhe konsumatorët si dhe kanë paraqitur pesë kërkesa për kompanitë dhe institucionet.
Sipas 11 shoqatave, dalja në treg e 7.538 bizneseve, do të rrisë koston e prodhimit, do të sjellë ulje të prodhimit, ulje të importeve dhe eksporteve, duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë, e cila do të pasohet me uljen e punësimit dhe uljen e kontributeve e taksave.
Kërkesa e parë e tyre është qartësimi dhe garantimi i një tregu energjitik të stabilizuar, të paanshëm, joarbitrar, demokratik, pasi sipas tyre nuk ekzistojnë absolutisht kushte të tilla për daljen në treg të 7.538 subjekteve sipërmarrëse, të cilat aktualisht furnizohen me energji nga operatori publik
“Aktualisht në Shqipëri nuk ka as treg të liberalizuar dhe as bursë energjie, e cila është kushti vendimtar për vetë ekzistencën e tregut të energjisë elektrike”,- thuhet në deklaratë.
Kërkesa e dytë është shmangia e rritjes së tarifave për shpërndarje dhe transmetim të energjisë.
“Të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga shoqëritë e vogla, të mesme apo klientë familjarë pa u limituar te fuqia e instaluar 500 kW nga panelet diellore, por edhe duke përfshirë burime të tjera të rinovueshme të tilla, si era apo uji,”- është kërkesa e tretë e shoqatave të biznesit.
Në dy të tjerat, ata kërkojnë transparencë të rritjes së çmimit se energjisë dhe negociata me qeverinë.
Në rast se kjo deklaratë nuk merret parasysh, bizneset paralajmërojnë masa të tjera të dakordësuara pas datës 24 dhjetor.
Duke nisur nga 1 janari, bizneset do të duhet të blejnë vetë energjinë elektrike në treg të lirë, ndërkohë që ata janë shprehur kundër kësaj skeme. 7.538 do të bëhen drejtpërdrejtë pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë, ndërsa biznese të tjera do të duhet të lidhen me ato të licensuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.