Ekonomi

Shoqata “Pronësi me drejtësi”: 16 mijë dosje të ish pronarëve drejt Strasburgut

Më datën 23 shkurt 2019 ka përfunduar afati i vlerësimit të 24 mijë vendimeve përfundimtare të harkut të viteve 1993 – 2014 që kanë njohur të drejtën për kompensim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave konform bazës ligjore në fuqi.

Agjencia e Trajtimit të Pronave, ka informuar subjektet e interesuara për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit.
Referuar ligjit në fuqi, brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Në përfundim të këtij afati, Shoqata Pronësi me Drejtësi e konsideron procesin si dështim të plotë të shtetit shqiptar në harkun e 3 dekadave për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së pronave duke mos kursyer edhe faktorin ndërkombëtar, që sipas shoqatës ka pjesën e vet në këtë dështim.

Shoqata paralajmëron paralajmëron shpënien për shqyrtim të mbi 16 mijë dosjeve në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg.

“Për 3 vjet me rradhë, ATP-ja e vlerësoi detyrimin e shtetit në afro 600 milionë euro nga 4.9 miliard euro që me çmimet e vitit 2015 ato vlerësohen. Duke filluar nga data 24 shkurt 2019, ATP falë ligjit “kushtetues të Gjykatës anti-kushtetuese numër 133/15” do zëvendësojë njoftimin e deritanishëm në gazetë dhe faqe elektronike, me njoftimin individual për vendimarrjen e çdo pronari në shtëpi, pa e bërë publik në gazeta si deri më sot. Me këto vendime individuale si mandate vdekje, falë VKM 766 të vitit 2017, vlerësimi poshtërues prej afro 600 milionë euro do të ulet deri në afro 2-3 herë.”- thotë shoqata duke kontestuar vendimin se 80% e shumës do të jetë kompensim fizik.

Tokat që janë caktuar me VKM për kompensim fizik të Pronarëve, janë 23 mijë parcela me sipërfaqe të përgjithshme 23 mijë ha tokë. Shoqata e konsideron vendodhjen e këtyre tokave që do të shërbejnë për kompensim fizik si vende të humbura që ekzistojnë vetëm në letër dhe jo fizikisht.

Kompensimi financiar pritet të fillojë të aplikohet nga viti 2023 dhe jo më shumë se 10 milionë për cdo grup pronash të pronarëve. Nga viti 2015, shprehet shoqata, me dhunë ligji parashikon kompensim financiar me procedura të përshpejtuara, në vetëm 20-40% të vlerës së përgjithshme që del për çdo pronar, për 1-5 vjet, me kusht që me deklaratë noteriale të deklarosh se pjesën tjetër do ia falësh shtetit .

Shoqata duke treguar dinamikën e procesit bën me dije se ishin 10000 dosje që nga pronarët, konform kërkesave të ligjit ishin depozituar pranë zyrave shtetërore të Agjensisë së Pronave qysh nga viti i largët 2008. Në këto dosje pronarët kishin kërkuar për Kthim ose Kompensim rreth 4 200 ha tokë truall dhe 144 000 ha tokë bujqësore etj. Këtyre 10000 dosjeve të vjetra në vitin 2015 iu shtuan edhe 6000 dosje të tjera. Nga viti 2015 deri në 23 shkurt 2019, agjensia ka dhënë vendime siç thuhet për afro 9600 dosje.

Rezulton sipas shoqatës se për 9600 vendimet e dhëna agjensia nuk ka dhënë as edhe një të vetëm pozitiv për pronarët. “Të gjitha pa përjashtim ishin negative dhe pronarëve ju është rrëzuar kërkesa. Pronarët do të duhej që të ankimonin në gjykatat e apelit vendimet e agjensisë, që e drejta e pronës së tyre të mos shuhej”, thotë shoqata.

Kurse sot, për afro 6800 dosjet e tjera të patrajtuara, pronarët nëse do të duan përsëri pronën e tyre duhet t’i drejtohen gjykatave civile dhe të futen në kalvarin 2-3 vjecar të gjykimit deri në apel.

“Ne jemi realistë se sot për pronarët shqiptarë e vetmja rrugë zgjidhje mbetet gjyqësori dhe Strasburgu. Nga Strasburgu, Gjykata Europiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, do të vijë zgjidhja e problemit tonë të pronave. Zullumi është trashur për 30 vjet dhe tani ai do këputet.”- shprehet “Shoqata pronësi me drejtësi”.
Janë 89 çështje pronash në Strasburg që në mars të këtij viti bëhen plot 3 vjet që presin vetëm të shpallet vendimi, që sipas vendimmarrjeve të mëparëshme të kësaj gjykate, pritet të rrëzojnë nenin 6/1 të ligjit 133/15 dhe si të tillë dhe vetë ligjin dhe vendim marrjen e derisotme të ATP-së.

Shpallja e këtij vendimi do të rrëzojë Ligjin dhe Qeverinë për faturën financiare që do të ketë. Në Gjykatën Kushtetuese janë 4 çështje të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” që presin të shqyrtohen dhe që kanë të bëjnë me antikushtetueshmërinë e ligjit 133/15.
Shoqata pret edhe një vendim të vetëm të Gjykatës së Strasburgut që ligji 133/15 të rrëzohet.

Kryesia e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” i kërkon Pronarëvë të:

1) Ankimojnë çdo vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Administrativ për sa i takon vlerësimit financiar për kompensimin që do ju vijë me postë nga Agjensia e Trajtimit të Pronës. Ka një kosto financiare, por është e domosdoshme të bëhet.
2) Kërkoni në Gjykatat Administrative ose Civile vlerësimin financiar të gjithë vendimeve për kompensim që nuk janë vlerësuar nga ATP- ja deri më sot.
3) Për të gjitha dosjet e pa trajtuara drejtohuni Gjykatave Civile të Shkallës së Parë të rretheve ku keni pronat. Mos prisni dhe mos hezitoni. Gjykatat nuk do të jenë ato që kanë qenë, do japin drejtësi për pronarët dhe të drejtën e pronës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë