Shoqata e Transportit Urban i është drejtuar me një kërkesë qeverisë; të rritet çmimi i biletës së transportit urban për të përballuar rritjen e çmimit të karburanteve.
Dashnor Mema, kreut i Shoqatës tha se sipas llogaritjeve të ekspertëve çmimi i biletës duhet të jetë 80 lekë.
Ndërkaq, nga një vëzhgim i shkurtër i Gazetasi.al situata në stacione këtë mëngjes tregonte një tjetër panoramë, pasi kishte një përgjysmim të flotës së autobusëve në disa linja, si Tufinë-Kombinat, Sharë-Stacioni i Trenit dhe Tirana e Re.
Kjo gjë u konfirmua edhe nga drejtuesi i Shoqatës. Ai u shpreh se stacionet janë plot me njerëz sepse dje janë njoftuar që do ta marrin naftën me shumicë në çmimin 220 lekë për litër.
“Natyrisht kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë, por ndërkohë edhe t’i shërbejë qytetarëve. Nëse do vazhdojmë me këtë situata kapitullimi i transportit do jetë për 3-4 ditë maksimalisht. Ne jemi të varur nga rritja e çmimit të naftës dhe duke pasur një heshtje totale nga instancat ne konkretizuam pikat konkrete se çfarë na duhet që të shpëtojmë nga kjo situatë e vështirë ekonomike”, shpjegon Mema.
Ai shtoi se kërkohet urgjentisht të rritet të rritet çmimi i biletës.
Sa i përket shqetësimeve të transportit publik, Gazetasi.al është përpjekur të marrë një shpjegim disa herë nga Bashkia e Tiranës, për masat që do të merren kundrejt zgjidhjes së problemeve të këtij shërbimi, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje. Ndërkaq, pasoja bien mbi qytetarët që qëndrojnë edhe dy orë në stacione.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.