Drejtësia

Shoqata e Gjyqtarëve i përgjigjet Ramës për çështjen ‘Balluku’: Nën petkun e ankesës, fshihet presioni!

Nga Gazeta ‘Si’- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i cilëson deklaratat e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres dhe zëvendës kryeministres nga GJKKO, si presion ndaj organeve të drejtësisë.

Në një deklaratë zyrtare, shoqata thotë se janë të shqetësuar dhe indinjuar ndaj qasjes që kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë ndaj kësaj çështje.

Nën petkun e ankesës, thotë shoqata, fshihet mesazhi i presionit ndaj organeve që po shqyrtojnë çështjen, duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse do ta kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut.

Gjyqtarët theksojnë se pavarësia e gjyqësorit mbetet gur themeli për shtetin e së drejtës, por mund të cënohet jo vetëm me veprime konkrete por edhe me deklarata të tilla si të kreut të qeverisë.

Në reagim përmendet edhe fakti që Komisioni Evropian ka ngritur prej vitesh shqetësime mbi ndërhyrjet dhe presionet ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë.

Sipas Shoqatës, gjyqtarët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjit dhe misioni i tyre nuk është të marrin pëlqimin e publikut apo të politikës, por të zbatojnë me përpikëri vullnetin e sovranit të shprehur në ligj.

“Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët”, thuhet mes të tjerash në deklaratë. 

Në fund, shoqata thotë se gjyqtarët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa përcjell edhe një thirrje për zyrtarët, duke kërkuar që të respektojnë pavarësinë në vendimarrjen e tyre.

Kryeministri, në një sërë reagimesh lidhur me këtë çështje, ka argumentuar se nuk po ushtron presion ndaj gjyqësorit, por se komentet i bën pasi është palë në çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë